Shendet

284 raste të reja me Covid-19, ISHP: 30% e pacientëve të moshës 65-76 vjeç

Nga Gazeta Si – Sezoni veror i Covid-19 vijon me një shtim të rasteve në 10-ditëshin e parë të muajit gusht.

Nga të dhënat më të fundit të ISHP, 284 raste të reja janë konfirmuar nga testimet e kryera në spital, ku nga 284 testime, të gjitha kanë rezultuar pozitive.

Sipas raportit të ISHP, që ka siguruar “Gazeta Si”, personat e prekur me Covid-19 i përkasin pothuajse të gjitha moshave.

Por nga sa vihet re, shumica e pacientëve me Covid-19 janë të moshës 65-74 vjeç, 86 raste ose rreth 30.28%, më pas renditet grupmosha 55-64 vjeç me 52 raste ose 18.31% të numrit total të të infektuarve.

Nga të dhënat e ISHP, shifër e lartë e të prekurve me Covid-19 vërehet dhe te moshat active. 31 raste tek mosha 35-44 vjeç, 30 të prekur në grupmoshën 25-34 vjeç dhe 31 raste tek mosha mbi 75 vjeç.

Ajo çka konstatohet është fakti që në qarkullim gjatë kësaj periudhe nuk ka viroza të tjera veç Covid-19, i cili ka pësuar mutacion duke u shndërruar në një virus të thjeshtë.

Por komplikacionet e tij shpesh ngatërrohen duke bërë që shumë pacientë të neglizhojnë simptomat.

Këtë periudhë, konstatohen pacientë të prekur në sistemin tretës, duke shfaqur probleme në aparatin tretës, diarre, dhimbje koke, dhimbje trupi etj.

Mjekët e familjes sugjerojnë që në këto raste të mos hezitojnë ti drejtohen qendrave shëndetësore për të kryer testin e Covid dhe më pas të marrin mjekimin e duhur për të shmangur komplikacionet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë