Gazeta Si - Në ditën e 7 të zjarrit, në Parkun Kombëtar të Prespës dëmet ekologjike në bimësi, florë dhe faunë janë shumë të mëdha.
Në terren mëngjesin e sotëm kanë zbritur prefekti i qarkut të Korçës Nertil Jole së bashku me kryetarin e Bashkisë së Pustecit, Pali Kolevski dhe rreth 80 forca zjarrfikëse. Sot është dita vendimtare për të shuar flakët.
Mosreagimi i duhur për të plotësuar kërkesat e specialistëve për ndërhyrje nga ajri, ka sjellë përhapjen e flakëve edhe në brendësi të Parkut Kombëtar.
“Jemi sot këtu në Goricë së bashku me kryetarin e bashkisë Pustec për të bërë përpjekjen e radhës,n ë ditën e 7-të,për të luftuar një vatër komplekse, në zonën e Parkut Kombëtar të Prespës. Kemi organizuar punën me të gjitha strukturat operacionale në nivel qarku na janë ofruar si mbështetje edhe shërbimet e bashkive të tjera së bashku me detashmentin, agjensinë e zonave të mbrojtura, me shërbimin pyjor, strukturat e policisë etj. Jemi organizuar punën në mënyrë që të bëjmë përpjekjen e radhës, për të neutralizuar ku është mundësia mospërhapjen e mëtejshme të vatrës së zjarrit duke shpresuar që në këtë mënyrë do të kufizojmë ecurinë e saj”, - tha Nertil Jole, prefekti i qarkut Korçë.
Ndërkohë, disa vatra zjarri janë regjistruar sërish në Bashkinë e Selenicës edhe mbrëmjen e së hënës.
Pranë fshatit Velçë, në fshatin Bashaj, gjithashtu zjarr ka pasur edhe në fshatin Mërtiraj dhe një zjarr në Malin e Beunit, në fshatin Vajzë. Ende nuk ka bilanc zyrtar, por janë djegur një numër i shumtë ullinjsh në Velçë dhe Mërtiraj.
Ndërsa orët e pasdites dhe gjatë mbrëmjes së të hënës janë regjistruar vatra zjarri në fshatin Bashaj dhe Velçë të Selenicës.
Policia njoftoi se një 63-vjeçar është vënë në pranga në Selenicë për zjarrvënie, pasi më 11 gusht ai ka ndezur një zjarr me qëllim pastrimin e barërave në kullotën e tij në fshatin Mërtiraj.
Mirëpo si pasojë e erës zjarri ka dalë nga kontrolli dhe ka djegur 10 hektarë tokë, 320 rrënjë ulliri dhe bimësi të ndryshme.
“Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr””, njoftoi policia.
Edhe Ministria e Mbrojtjes bën me dije se vatrat e zjarrit në Bashkinë e Selenicës janë vënë në kontroll gjatë ditës së martë. Sipas ministrit Pirro Vëngu, rreziku për banesat është eliminuar, por situata po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm.
“Pas një nate përpjekjesh e pune të pandërprerë, strukturat operacionale të Emergjencave Civile në nivel lokal dhe qendror, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, kanë arritur të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit në Bashkinë e Selenicës. Rreziku për banesat është eliminuar, por situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm. Në ndihmë të forcave vendore janë bashkuar edhe dy ekipe zjarrfikësish nga Forcat e Armatosura. Mirënjohje të gjithë efektivëve për punën e tyre heroike në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve”, lexohet në postimin e ministrit të Mbrojtjes në Facebook.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.