Sociale

Zjarr në Parkun Kombëtar në malin e Tomorrit, ndërhyrja nga toka e vështirë

Gazeta Si - Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në Parkun Kombëtar në Malin e Tomorrit në Skrapar ditën e sotme.

Zjarri mendohet të ketë qenë i qëllimshëm dhe është përhapur me shpejtësi drejt pyllit me pisha të Parkut Kombëtar, i favorizuar nga era dhe temperaturat e larta.

Drejt zonës së zjarrit kanë shkuar forcat zjarrfikëse të Skraparit dhe punonjësit e Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura.

Terreni tejet i vështirë dhe i pamundur për futjen e mjeteve zjarrfikëse në zonën e zjarrit ka bërë që të punohet për fikjen e flakëve me mjete rrethanore dhe pompa uji shpine.

Drejt Parkut të Tomorrit, në ndihmë të zjarrfikësve të Skraparit janë nisur forca nga Berati dhe Poliçani, ndërkohë që atyre u janë bashkuar edhe banorë të zonës.

Autoritetet vendore sqaruan se vatra ndodhet në zonën e “Majës së Çukës”, aty ku mbahet pelegrinazhi i përvitshëm i besimtarëve bektashinj dhe flakët po përhapen me rrezikshmëri edhe për shkak të erës dhe terrenit të thyer.

Drejt vendngjarjes janë nisur dhjetëra punonjës të zjarrfikëses, pyjores dhe policisë së Skraparit dhe Poliçanit. Ndërhyrja nga terreni cilësohet e vështirë, teksa pritet të kërkohet edhe ndihma nga ajri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë