Media Galeri

Shtatorja e Skënderbeut inaugurohet në 30 gusht në Horën e Arbëreshëve

Shtatorja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut 3 metra e lartë ka mbërritur në Itali. Kjo shtatore, me iniciativën e shoqatës “Hora e Skënderbeut” është dhuratë e mërgimtarëve shqiptarë për arbëreshët.

Kjo shtatore madhështore, e cila është vepër e skulptorit nga Prishtina Gëzim Muriqi, do të vendoset në sheshin përballë bashkisë në Horën e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) në Sicili.

Inaugurimi i saj do të bëhet më 30 gusht 2024, që përkon edhe me datën e themelimit të qytetit i cili daton nga viti 1488.

Dhurata për arbëreshët bëhet në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditës arbërore për më shumë se pesë shekuj.

Po ashtu arbëreshët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999, kur ata hapën dyert e zemrat për kosovarët, të cilët ishin të dëbuar dhunshëm nga forcat serbe, gjatë zbatimit të planit të gjenocidit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë përsipër financimin e transportit ndërsa stafi i saj ndihmoi në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm, në mënyrë që shtatorja e Skënderbeut të niset drejt shtetit italian.

Shumë bashkatdhetarë kanë shprehur dëshirën që të bëhen pjesë e kësaj feste madhështore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë