Rend dhe Ligj

Tentuan të fshehin vrasjen në azilin e të moshuarve, arrestohen dy infermiere: Menduam se kishte vdekur pas rrëzimit

Gazeta Si - Dy infermiere, Nazime Mulla dhe Glesantina Saraçi, të cilat ushtronin profesionin në azilin privat ku u vra i moshuar Virxhil Vesho nga shoku i tij i dhomës Zyhdi Shehu mëngjesin e së enjtes, janë arrestuar nga policia.

Në një njoftim për mediat, thuhet se Mulla, 31 vjeçe dhe Saraçi, 26 vjeçe u vendosën në pranga, sepse nuk kallëzuan krimin në polici, por njoftuan një agjenci funerale. Kanë qenë këta të fundit, të cilët kthyen trupin në godinën e azilit, duke njoftuar policinë pasi dyshohin se kishin të bënin me një vrasje.

Në dëshminë e tyre në polici, dy infermieret pretenduan se nuk e kishin kuptuar që 78-vjeçari Zyhdi Shehi kishte vrarë shokun e dhomës.

78-vjeçari Zyhdi Shehi e goditi disa herë me një bastun hekuri Virxhil Veshon, 82 vjeç, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Ngjarja ndodhi rreth orës 4:00 të mëngjesit të së enjtes në një shtëpi private të moshuarish në zonën e Ali Demit në Tiranë. Burime nga grupi i hetuesve thanë se debati ka qenë banal. Autori e kishte akuzuar viktimën se kishte shkuar pa leje në dhomën e tij dhe i kishte zënë krevatin edhe pse dhomat janë dyshe.

Sipas të njëjtave burime, të dy të moshuarit vuanin nga demenca dhe Parkinsoni. Edhe 78-vjeçari, Zyhdi Shehi është vënë në pranga i akuzuar për vrasje me dashje.

Policia

"Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, më datë 08.08.2024, ndodhur në një azil privat për të moshuarit, ku shtetasi Z. Sh., 78 vjeç, ka goditur me bastun shtetasin V. V., i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën, ju informojmë se: Në vijim të veprimeve hetimore të thelluara të kryera u arrestuan shtetaset G. S., 26 vjeçe, dhe N. M., 31 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, me profesion infermiere në azilin ku akomodoheshin dy të moshuarit. Nga hetimi i kryer u siguruan prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se dy të arrestuarat në bashkëpunim me njëra-tjetrën, kanë konsumuar veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301/25 i Kodit Penal. Këto dy shtetase nuk kanë njoftuar organet kompetente për ngjarjen e ndodhur si dhe kanë kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës", - thuhet në njoftimin e policisë.

Dinamika e ngjarjes

Dy infermieret, pasi kanë parë të vdekur Virxhil Veshon, të trembura kanë nisur pastrimin e ambientit ku ka ndodhur vrasja dhe e kanë mbështjellë viktimën me një çarçaf. Më pas kanë marrë një agjenci funerale në telefon, të cilët kanë bërë tërheqjen e trupit.

Infermieret u kanë thënë se vdekja e tij ka qenë aksidentale dhe është rrëzuar. Kur kanë nisur procedurat e larjes së trupit, agjencia funerale ka kuptuar se viktima është vrarë për shkak të plagëve të mëdha që kishte në fytyrë në kokë dhe në trup.

Në këtë moment trupi iu është kthyer sërish në azil dhe është njoftuar policia, ku më pas u zbulua se ishte Zyhdi Shehi ai që ka vrarë Virxhilin.

Zbardhet dëshmia e infermiereve

Sipas dëshmisë në polici, dy infermierët pretendojnë se nuk kanë patur si qëllim të fshehin ngjarjen e rëndë.

“Nuk e menduam se kishim të bënim me vrasje. Nuk e menduam që duhet të lajmërohet policia. Menduam që është rrëzuar dhe ka ndërruar jetë.  Edhe për shkak të moshës së thyer nga rrëzimi aksidental menduam që i ka ardhur vdekja. Kemi marrë në mëngjes agjencinë funerale në telefon dhe i kemi thënë për të marrë trupin, - rrëfyen ato. - Më pas ata u rikthyen dhe na treguan se ka dëmtime shumë të mëdha. Agjencia ka lajmëruar pronarin e azilit. Pronari më pas lajmëroi policinë.  Nuk ishte qëllimi ynë që të fshihnim ngjarjen”, - shpjeguan infermieret.

Heimet

Për shkak se edhe viktima edhe autori vuanin nga skleroza, policia ka bindjen se deklarata e historianit të njohur që u shpreh se "e qëlloi shokun, pasi i kishte zënë krevatin", mbetet një version që i përket tronditjes.

Megjithatë, i moshuari do të akuzohet për vrasje dhe mes shkresave që janë sekuestruar në qendrën private të të moshuarve “Ruaje moshën”, janë marrë edhe dëshmitë e stafit, kryesisht infermierë.

Versioni tjetër i autorit, ishte se përdori një shkop hekuri, duke e qëlluar shokun e tij të dhomës, pasi ai e bullizonte.

Sipas policisë, ekspertët do të caktojnë se në çfarë shkalle ishte i prekur autori nga skleroza, ndërkohë që brenda pak ditësh ai do të dalë para gjykatës penale për masën e sigurisë. Mosha dhe sëmundja e tij pritet të jenë karta e fortë e avokatëve për ta mbrojtur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë