Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria ka ndaluar importin e të imtave me vendet e rajonit dhe më gjerë, për shkak të përhapjes së disa sëmundjeve infektive në këto shtete.
Nga Italia në Ukrainë, kafshët janë prekur nga sëmundjet si Bruceloza, Tuberkulozi dhe ajo që njihet si “Murtaja e Ruminantëve të vegjël”. Në Greqi dhe Rumani, ky infeksion ka shkaktuar ngordhjen apo ekzekutimin e më shumë se 10.000 bagëtive. Rreziku i përhapjes po rrezikon të gjithë Europën.
Autoriteti kombëtar i veterinarisë në Shqipëri ka njoftuar se gjendja në vendin tonë është e pastër dhe nuk ka asnjë shenjë të Murtajës, por ka raste sporadike të Brucelozës dhe Tuberkulozit.
Autoriteti nuk jep të dhëna se ku janë konstatuar rastet me Brucelozë dhe as si janë menaxhuar ato.
AKVKMB dhe ministria e Bujqësisë njoftojnë se kanë ngritur grupe kontrolli me policinë e shtetit në pikat kufitare.
Gjithashtu, për shkak të shfaqjes së infektimeve me sëmundjen e “Murtajës Afrikane” dhe Gripit të shpendëve në disa vende, Shqipëria ka ndalur importet e derrave dhe shpendëve nga Sllovakia, Italia, Hungaria, Letonia, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Danimarka, Holanda, Belgjika, Bullgaria, Gjermania, Lituania, Estonia, Moldavia, Polonia dhe Ukraina.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




