Nga Gazeta Si – Teksa autoritetet shqiptare po kërkojnë të qetësojnë popullatën pas lajmit që u shpërnda 2 ditë më parë, për prezencën e virusit të Nilit në vendin tonë, ajo çka nuk po thuhet akoma është shifra e saktë e pacientëve të konfirmuar se janë prekur nga Ethet e Nilit.
Doktor Ilir Alimehmeti, Zv/Dekan i Fakultetit të Mjekësisë, për ‘Gazeta SI’ thotë se incidenca e vdekjeve prej këtij virusi është 1/1000 të prekur.
‘Nga 1000 të prekur, 800 prej tyre rezultojnë asimptomatikë dhe 200 të sëmurë. Prej këtyre të fundit 1 është i rriskuar të vdesë, pra propabiliteti I humbjes së jetës është 1 në 200 pacientë të sëmurë me shenjat e virusit të Nilit.
Nga kjo logjikë, rrjedh fakti që nëse kemi 3 vdekje, automatikisht numri i pacientëve të sëmurë me ethet e Nilit është 600 ndërsa pacientët asimptomatikë mund të jenë mbi 2500, shifra që nuk janë deklaruar asnjëherë nga ISHP në këto dy ditë.
Po përse hesht Instituti i Shëndetit Publik dhe nuk deklaron të dhënat e sakta?
Pse që prej vitit 2023 kur e gjithë Evropa u përfshi nga një valë rritje infeksionesh me virusin e Nilit, Shqipëria nuk raportoi asnjë rast?
Sipas Alimehmetit, ajo çka duhej bërë dhe duhet të bëhet akoma është që institucionet e shëndetit publik në bashkëpunim me pushtetin vendor të kishin nisur fushatën e dezinsektimit dhe ndërgjegjësimin e popullatës për mbrojtjen dhe parandalimin nga pickimi i mushkonjave.
“Bashkitë duhet të merrnin masa për dezinsektimin dhe parandalimin e përhapjes së mushkonjave, minimizimin e numrit të tyre pasi është e vështirë zhdukja përfundimtare e tyre.
Dhe më e rëndësishmja, theksoj se popullata duhet të ishte njoftuar për këtë zhvillim dhe të merrte masa që në vendet ku ka pellgje ujore, pranë mbeturinave, në kopshte ku ka vazo me ujë, dhe ku mushkonjat gjejnë terren për tu shumuar të mos qëndrojnë afër, apo të mbrohen me mjete që largojnë mushkonjat, të vishen me mëngë të gjata në mbrëmje kur mushkonjat janë më aktive apo dhe në mëngjes herët. Por asgjë nuk ka ndodhur deri dje kur ata dolën papritur e thanë jemi të rrezikuar’, thotë Alimehmeti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




