Kompania gjermane “Gerber architekten international” është fituesja e projektit të masterplanit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Sipas masterplanit të kësaj kompanie, pjesë e kompleksit memorial do të bëhet një shteg ecje, shtëpia e mbijetesës të mbrohet nga disa xhama transparentë, kulla vrojtuese që të rindërtohen në të njëjtën mënyrë dhe fabrika e municionit të shndërrohet në kullë dhe të vizitohet nga vizitorët.
Kryeministri Albin Kurti gjatë prezantimit të projektit, tha se synimi i këtij procesi të rëndësishëm është që kompleksi të marrë pamjen dhe trajtën e një peizazhi historik.
Ndërsa, profesori Eckhard Gerber nga kompania fituese gjermane, theksoi se ky do të jetë një projekt i rëndësishëm.
“Ndihem shumë i prekur jo vetëm nga kjo ngjarje sot, por nga e tërë historia. Do të jetë një projekt që do të prezantojë projektet e jashtëzakonshme dhe imputet e familjes Jashari. Kosova e ka vendin e vet në botën e lirë të shteteve demokratike”, tha ai.
Përfaqësuesi i familjes Jashari, Bekim Jashari u shpreh se trualli i Jasharëve legjendarë është vendlindja e çdo dëshmori, martiri, veterani e qytetari të Kosovës që nuk kursyen asgjë për lirinë e vendit.
Projekti pritet të përfundojë brenda 22 muajve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.