Rend dhe Ligj

Zaptoi një sipërfaqe trualli dhe ndërtoi vilë në pronë shtetërore, në kërkim ish-shefi i AMP në Durrës

Gazeta Si – Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka zbuluar një tjetër veprim të paligjshëm të drejtuesit të AMP-së në Durrës, Kushtrim Selimi.

Pasi ky i fundit u zbulua se bënte shkrime me pagesë dhe i publikonte në një portal për gjobëvënie, së fundmi i është zbuluar edhe një vilë në Durrës.

Kjo vilë është ndërtuar në pronë shtetërore në Kallm të Durrësit dhe për këtë ndaj tij është vendosur masa e sigurimit personal “Arrest me burg”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim”, “Ndërtim i paligjshëm”, “Vjedhje e energjisë elektrike”.

Megjithatë, AMP e ka shpallur në kërkimSelimin, pasi deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e tij.

Burime me dije bëjnë me dije se Selimi është arratisur përmes Kosovës, dhe përmes Prishtinës ka shkuar në Angli.

Në ndihmë të Selimit, kanë bashkëpunuar edhe oficerë të tjerë të policisë së Durrësit: Metin Vogli, Kastrot Karafli, Edmond Plaku, Regina Omeri, Ardian Jonuzi.

Kushtrim Selimi më përpara kishte masën “detyrim paraqitje” dhe bllokim pasaporte për shkak se nëpërmjet një portali bënte shkrime denigruese ndaj Drejtuesve të Lartë të Policisë së shtetit.

Njoftimi i AMP-së

Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Durrës – Kavajë ka zbatuar Urdhërin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kërkuar nga Prokuroria në kuadër të procedimit penal të vitit 2024 për masat e sigurisë:

Masa e sigurimit personal “Arrest me burg” ndaj shtetasit Kushtrim Selimi, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim”, “Ndërtim i paligjshëm”, “Vjedhje e energjisë elektrike”. Shtetasi është shpallur në kërkim pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij.

Masa e sigurimit personal “Arrest me burg” ndaj shtetasit E.V., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Shtetasi është shpallur në kërkim pasi gjatë kontrollit nuk është gjendur në banesë.

Masa e sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndaj shtetases Regina Omeri, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “ Moskallëzim krimi”.

Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë Edmond Plaku me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës, i kryer në bashkëpunim”.

Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë Skënder Sakaj me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës i kryer në bashkëpunim”.

Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë Kastriot Karafili  me detyrë Specialist i Rendit në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës i kryer në bashkëpunim”. 

Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë Ardian Jonuzi me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet pranë Kommisariatit të Policisë Kavajë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës i kryer në bashkëpunim”.

Nga hetimet e kryera u siguruan prova se shtetasi Kushtrim Selimi, gjatë kohës që ka ushtruar detyrën si Shef sektori pranë AMP Durrës, duke shfrytëzuar atributet e pozicionit, ka zaptuar një sipërfaqe trualli, pronë shtetërore në lagjen “Kallm” të Durrësit, ku dhe ka ndërtuar në mënyrë të jashtëligjshme një vilë.

Punonjësit e policisë, tashmë nën masa sigurie, në dijeni të veprimeve të kundraligjshmë kanë siguruar mjetet e nevojshme për ndërtim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë