Nga Gazeta ‘Si’-Dy makina, në pronësi të Komunës së Zveçanit, janë dëmtuar nga zjarri, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Sipas Elshanit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:40 të mëngjesit të 26 korrikut. Veturat, që u dogjën, ishin para ndërtesës të Komunës së Zveçanit.
“Dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrvënie, ndërsa të lënduar nuk ka”, tha Elshani shkurt për REL-in.

Ai po ashtu shtoi se policia është duke punuar që të zbardhë këtë rast.
Zveçani është një nga katër komunat në veri të Kosovë, që janë të banuara me shumicë serbe. Në këtë pjesë të territorit të Kosovës edhe në të kaluarën ka pasur djegie të veturave dhe dëmtim të pronës.
Në qershor të këtij viti u raportua për djegien e dy veturave me targa serbe në Mitrovicë të Veriut.
Ndërkaq, në fillim të prillit, një pjesëtarit të policisë kufitare të Kosovës iu dogj makina në Mitrovicë të Veriut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




