Shendet

Lista e re e barnave të rimbursueshme / Shtohen 50 medikamente. Invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuar do marrin falas fishat e diabetit

Nga Gazeta Si- Është miratuar Lista e re e Barnave të Rimbursueshme e cila përfshin diagnoza të reja për trajtim sipas mjekimit që pacientët marrin nga mjekët e familjes.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi se në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave është miratuar zgjerimi me 1,345 barna alternativa mjekimi në total, nga 1191 që janë  aktualisht.

Në deklaratën për gazetarët pas mbledhjes së qeverisë, ministrja Koçiu theksoi se listës i janë shtuar 50 barna dhe medikamente të reja, nga të cilat 38 principe aktive të reja dhe 18 forme doza të reja.

Ministrja Koçiu shtoi se të gjitha barnat e reja të shtuara në Listën e Barnave të Rimbursueshme, janë barna të cilat mbështesin akoma më shumë të gjitha diagnozat dhe patologjitë e sëmundjeve onkologjike, sëmundje kardiovaskulare, diabetin, sëmundje të veshkave, astmën bronkiale, sëmundje pulmonare, etj.

Gjithashtu, ministrja e Shëndetësisë bëri me dije miratimin e një tjetër vendimi në mbështetje të gjithë qytetarëve të prekur nga diabeti, duke zgjeruar fashën e rimbursimit të fishave të diabetit për matjen e glicemisë.

“Deri më sot ne rimbursojmë fishat e diabetit për të gjithë ata pacientë të cilët vuajnë nga sëmundja diabetike, nga mosha 0-25 vjeç si dhe për të moshuarit dhe pensionistëve mbi 65 vjeç. Me vendimin më të fundit ne shtojmë mbulimin me fishat e diabetit falas dhe për dy target grupe shumë të rëndësishme, për invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuar. Janë 2 mijë invalidë pune dhe rreth 1.500 persona me aftësi të kufizuar që do të përfitojnë falas fishat e diabetit”, përfundoi ministrja Koçiu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë