Kosova

‘Serbia do sulme në Kosovë’, RTK: Vuçiç pati takim sekret me kriminelin Milan Radoiçiç

Nga Gazeta 'Si'- Aleksandër Vuçiç ka zhvilluar një takim sekret me kriminelin Milan Radoiçiç, në fillim të këtij muaji. Kështu raporton Radio Televizioni i Kosovës duke cituar burime pranë organeve të sigurisë së Kosovës.

Takimi mes presidentit serb dhe organizatorit të sulmit terrorist në Banjskë ka ndodhur në qytetin e Kragujevcit. 

“Sipas burimeve, në këtë takim është diskutuar për tema të ndryshme, përfshirë mbështetjen e grupit kriminal të Milanit Radoiçiçit, për protestat e mundshme, për opozitën në Serbi si dhe shkaktimin e incidenteve/sulmeve në veri të Kosovës. Sipas këtyre burimeve për shkak të presionit ndërkombëtar, takimi është tentuar të mbahet sekret. Vuçiç dhe Radoiçiç, janë pajtuar që me raste të kritikojnë njëri-tjetrin në qarqe të caktuara, për të kamufluar bashkëpunimin e afërt që e kanë”, raporton RTK.

RTK thekson se Vuçiç i ka konfirmuar Radoiçiçit fuqizimin e mbështetjes së shtetit dhe të institucioneve të Serbisë për vazhdim të aktiviteteve të tyre, ndërsa Radoiçiç ka shprehur edhe një herë besnikërinë ndaj Vuçiçit.

Burime për televizionin publik të Kosovë në institucionet e sigurisë theksojnë se krimineli i shpallur në kërkim ndërkombëtar është takuar dhe me disa drejtues të lartë të policisë serbe, ndërsa ka biseda të rregullta me BIA-n serbe.

Autoritetet e sigurisë në Kosovë, përfshirë inteligjencën, por edhe udhëheqësit shtetërore, kanë dhënë vazhdimisht alarmin për lëvizjet e shumta të ushtrisë serbe në kufi dhe stërvitjet e paramilitarëve të Radoiçiçit nga forcat e armatosura serbe, me qëllim organizimin e provokimeve të reja në Kosovë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë