Kosova

Vrasja e policit serb, Ministria e Jashtme e Kosovës: Të shmanget kalimi në territorin e Serbisë

Nga Gazeta ‘Si’- Pas pretendimit të zv.kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiç se autori që vrau një polic në Serbi është një shtetas i Kosovës, Ministria e Jashtme e Kosovës u bëri thirrje shtetasve që të shmangin lëvizjen përmes territorit serb.

Ajo deklaroi se po ndjek nga afër zhvillimet dhe apeloi që emigrantët të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi.

“Të dashur qytetarë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiç për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb”, thuhet në njoftim.

Nga ministria e Brendshme e Serbisë thonë se në makinën e të dyshuarit është gjetur një pasaportë e Kosovës si dhe një letërnjoftim i Gjermanisë.

Për kërkimin e të dyshuarit për sulm, autoritetet serbe kanë ngritur në ajër dronë e helikopterë si dhe kanë kërkuar ndihmë e shumë njësive të policisë kufitare në Serbi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë