Nga Gazeta ‘Si’- Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim ndërkombëtar dhe ligjor i Kosovës, për të cilin vendi është rënë dakord në vitin 2013 dhe se është ratifikuar edhe nga Kuvendi i Kosovës me shumicë kushtetuese.
Ai ka thënë se BE-ja ka propozuar draftin për Asociacionin, për të cilin tha se kryeministri Albin Kurti ishte i gatshëm ta nënshkruante dhe ta pranonte në tetor të vitit të kaluar.
Szunyogu ka theksuar se ky draft respekton vijat e kuqe të të dyja palëve dhe se drafti duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
“E pra, përsëri, Asociacioni i komunave me shumicë serbe është obligim i Kosovës, që nuk është i ri. Për themelimin e tij tashmë është rënë dakord në vitin 2013. Fjala vjen, kjo marrëveshje është ratifikuar edhe nga Kuvendi i Kosovës me shumicë kushtetuese. Pra, nga ky këndvështrim, është obligim ndërkombëtar i Kosovës, por është obligim ligjor vendor që të themelojë Asociacionin. Ne kemi propozuar si Bashkimi Evropian, kemi propozuar një draft. Kuptimi im është se kryeministri Kurti në fakt ishte i gatshëm ta pranonte këtë draft dhe ta nënshkruante tetorin e kaluar.
Pra, nga ky këndvështrim, ne besojmë se ky është një draft i mirë, duke respektuar vijat e kuqe të të dyja palëve. Dhe ne besojmë se duhet marrë dhe dërguar në Gjykatën Kushtetuese në atë mënyrë që të jetë e pranueshme dhe Gjykata Kushtetuese mund të vendosë për këtë”, ka deklaruar ai.
I pyetur për tri kushtet e vendosura nga kryeministri Albin Kurti në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Szunyogu ka thënë se me shumë takime e diskutime në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve janë vërtet të rëndësishme për Kosovën.
Ai ka thënë se marrëveshja e dakorduar në Bruksel është qartazi një marrëveshje e bazuar në të drejtën ndërkombëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




