Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dorëzuar të hënën flamurin shtetëror, ekipit olimpik të Kosovës që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Parisi 2024. Të pranishëm në ceremoni ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zyrtarë tjerë shtetërorë dhe ambasadorë të Perëndimit. Krerët shtetërorë u kanë uruar sukses lojtarëve dhe ua kanë rikujtuar që i gjithë populli është me ta. Këtë vit, Kosova përfaqësohet me nëntë sportistë.

“Lojërat Olimpike i kapërcejnë kufijtë e sportit. Ato mishërojnë parimet e unitetit, të paqes dhe respektit të ndërsjellë. Lojërat Olimpike nxjerrin në pah të përbashkëtat tona”, ka thënë Osmani.

“Ndërsa dilni në skenën globale, mbani mend se në asnjë moment nuk do të jeni vetëm. Zemra e secilit qytetar do të rrahë bashkë me tuajën”.

Listës së atletëve të Kosovës i prijnë xhudistet Distria Krasniqi e Nora Gjakova, pastaj tre xhudistët tjerë, Laura Fazliu, Akil Gjakova e Loriana Kuka.
Donjeta Krasniqi përfaqëson Kosovën në boks derisa në atletikë, Gresa Bakraqi.
Adell Saboviq dhe Hana Beiqi do të përfaqësojnë Kosovën në not.


Në këto gara do të marrin pjesë mbi 10 mijë atletë që garojnë në disiplina të ndryshme.

Medaljen e parë të artë olimpike për Kosovën e fitoi Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike Rio 2016.
Medalje të arta olimpike për Kosovën fituan xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova në Lojërat Olimpike Verore Tokio 2021.



Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



