Kosova

Kuvendi i Kosovës miraton deklaratën për përkujtimin e masakrës së Srebrenicës

Nga Gazeta ‘Si’-Me 84 vota pro Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme në përkujtim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, ka miratuar deklaratën që mbështet rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për ditën ndërkombëtare të gjenocidit të vitit 1995.

Deputetët votuan për miratimin e deklaratës së lexuar nga nënkryetari i Kuvendit, Bahrim Shabani.

Ai ka deklaruar se 11 korriku duhet të jetë ditë përkujtimi dhe reflektimi për gjenocidin e bërë nga Serbia në Srebrenicë.

“Vlerësoj se caktimi i 11 korrikut si dita e përkujtimit dhe reflektimit të gjenocidit të 1995-s në Srebrenicë, të solidarizohemi me të mbijetuarit dhe përkujtimi për Srebrenicën të shërbejë si kujtesë e mprehtë e përgjegjësisë, për të parandaluar tragjedi në të ardhmen”, deklaroi Shabani.

Ditën e djeshme Qeveria e Kosovës shpalli 11 Korrikun Ditë Përkujtimore të Gjenocidit në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës.

Duke folur në një mbledhje të Qeverisë së tij të mërkurën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky është “një veprim fisnik dhe i duhur në emër të Kosovës”.

“Është veprim…i universales sonë njerëzore dhe i dëshirës sonë për paqe, që të mos harrohet e të mos përsëritet më gjenocidi, as në Bosnje, e as në Kosovë dhe askund tjetër në rajonin tonë dhe në botë”, tha Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë