Shendet

A mund të ndryshojmë mënyrën se si truri ynë plaket? Shkencëtarët mendojnë se po

Dihet prej kohësh se stili ynë i jetesës mund të na ndihmojë të jemi më të shëndetshëm për më gjatë. Tani shkencëtarët po pyesin nëse teknologjia e re mund të ndihmojë gjithashtu në ngadalësimin e procesit të plakjes së trurit tonë ndërsa plakemi.

Marijke 76-vjeçare me origjinë holandeze dhe burri i saj Tom jetojnë në Loma Linda, një orë në lindje të Los Anxhelosit.

Loma Linda është identifikuar si një nga të ashtuquajturat ‘Zonat Blu’ në botë, vende ku njerëzit kanë jetëgjatësi më të gjatë se mesatarja.

Banorët atje në përgjithësi nuk pinë alkool apo kafeinë, i përmbahen një diete vegjetariane apo edhe vegane dhe e konsiderojnë si detyrë të fesë së tyre që të kujdesen për trupin e tyre sa më mirë që të munden.

Ky është “mesazhi i tyre shëndetësor”, siç e quajnë ata, dhe që i ka vendosur në hartë si qyteti që ka qenë subjekt i dekadave të hulumtimit se pse banorët e tij jetojnë më mirë dhe për më gjatë.

Dr Gary Fraser nga Universiteti i Loma Linda thotë se anëtarët e komunitetit jo vetëm kanë një jetëgjatësi më të gjatë, por dhe një shëndet më të mirë.

Marijke dhe Tom janë transferuar në qytet vonë në jetë, por të dy tani janë bërë plotësisht pjesë e  komunitetit.

Nuk ka asnjë sekret të madh për Loma Linda. Qytetarët e saj thjesht po bëjnë një jetë vërtet të shëndetshme, duke u stimuluar mendërisht dhe duke vlerësuar komunitetin.

Në qytet ka leksione të rregullta për jetesë të shëndetshme, mbledhje muzikore dhe klasa ushtrimesh.

Judy, e cila jeton në qytet thotë se nuk e dinte rëndësinë e të jetuarit në komunitet.

“Është mundësia për të pasur biseda që të hapnin zemrën dhe të hapnin trurin. Ajo që nuk e kuptova ishte se sa i rëndësishëm është socializimi për trurin tuaj dhe pa të, ai duket se zvogëlohet dhe largohet,” thotë Judy.

Shkenca ka njohur prej kohësh përfitimet e ndërveprimeve sociale dhe shmangien e vetmisë por tani është gjithashtu e mundur të identifikohet truri i kujt po plaket më shpejt se sa duhet, në mënyrë që ata të mund të gjurmohen dhe në të ardhmen potencialisht të trajtohen më mirë në mënyrë parandaluese.

Ndërsa shkojmë drejt modeleve më të personalizuara, parashikuese dhe parandaluese të kujdesit shëndetësor, diagnostikimi i hershëm do të jetë vendimtar në të gjitha fushat e shëndetit, i mundësuar nga mundësitë e jashtëzakonshme të AI dhe të dhënave të mëdha.

Andrei Irimia, profesor i asociuar i gerontologjisë dhe biologjisë kompjuterike në Universitetin e Kalifornisë Jugore tregon modelet kompjuterike që vlerësojnë sesi truri ynë plaket.

Ai i kishte krijuar ato duke përdorur skanime MRI, të dhëna nga 15,000 tru dhe fuqinë e inteligjencës artificiale për të kuptuar trajektoren e trurit që po plaket shëndetshëm dhe trurit që ka një proces sëmundjeje, siç është demenca. Me këtë model, ai mund të kuptonte moshën e vërtetë të trurit.

“Është një mënyrë shumë e sofistikuar për të parë modelet që ne nuk i dimë domosdoshmërisht si njerëz, por algoritmi i AI është në gjendje t’i kuptojë ato,” tha ai.

Edhe kompanitë private kanë filluar të komercializojnë këtë teknologji. Një firmë, Brainkey, po ofron shërbimin në një sërë klinikash në mbarë botën. Themeluesi i saj Owen Philips thotë se në të ardhmen, marrja e një MRI duhet të bëhet më e lehtë.

“Po bëhet shumë më e arritshme për njerëzit që të bëjnë një skanim MRI dhe imazhet që dalin prej tyre po bëhen gjithnjë e më të mira,” tha ai.

“Teknologjia sapo po arrin në një pikë ku ne jemi në gjendje t’i shohim gjërat shumë më herët se sa në të kaluarën. Dhe kjo do të thotë se ne mund të kuptojmë saktësisht se çfarë po ndodh në trurin e një pacienti individual. Me AI, ne mund të zbulojmë gjithçka”.

Rritja dramatike e jetëgjatësisë gjatë 200 viteve të fundit ka shkaktuar një mori sëmundjesh të lidhura me moshën siç është edhe demenca, gjë që të bën të mendosh se nëse të gjithë do jetojmë gjatë, a do të prekemi në një pikë të gjithë nga demenca?

Profesor Irimia thotë se kjo ishte një teori që shumë e kanë hetuar, megjithëse nuk është vërtetuar, duke shtuar se qëllimi ishte të gjejmë një mënyrë për të vazhduar shtyrjen e demencës, me shpresë përtej jetëgjatësisë sonë.

Dhe e gjithë kjo na kthen në të njëjtën pikë. Çdo shkencëtar dhe mjek, si dhe ata Zonës Blu, thonë se mënyra e jetesës është çelësi. Dieta e mirë, mbajtja aktive e trurit dhe trupit, të stimuluar mendërisht dhe të lumtur janë vendimtare për plakjen e trurit tonë.

Ekziston edhe një faktor tjetër i rëndësishëm, sipas Matthew Walker, profesor i neuroshkencës dhe psikologjisë në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley.

“Gjumi është gjëja e vetme më efektive që mund të bëni çdo ditë për të rivendosur shëndetin e trurit dhe trupit tuaj,” tha ai. “Nuk ka asnjë funksion të mendjes suaj që të mos përmirësohet mrekullisht kur flini gjumë, ose të dëmtohet dukshëm kur nuk ngopeni sa duhet.”

Ai foli për sistemin e pastrimit të trurit tonë, i cili funksionon gjatë gjumit tonë duke ‘larë’ trurin nga faktorët që shkaktojnë Alzhaimer.

Ndryshimet në modelet e gjumit shoqërohen gjithashtu me demencë. Prof Walker përshkroi se si ne nuk e shohim këtë vetëm në të 60-at ose të 70-at por mund të fillojë gjatë të 30-ave. Pra, identifikimi i këtyre ndryshimeve përmes gjurmimit të gjumit mund të bëhet potencialisht një “model i parandalimit të moshës së mesme”.

Fauna Bio, një kompani bioteknike në periferi të San Franciskos, po mbledh të dhëna për ketrat e tokës gjatë dhe pas letargjisë. Në këtë gjendje, siç dihet, temperatura e trupit të ketrave bie dhe shkalla e tyre metabolike reduktohet në vetëm 1% të normales.

Gjatë kësaj kohe, ata duket se janë në gjendje të rilindin neuronet dhe të rikrijojnë lidhjet që truri i tyre kishte humbur. Qëllimi i kompanisë është të përpiqet të krijojë ilaçe për të përsëritur këtë proces tek njerëzit.

Depresioni i patrajtuar gjithashtu është treguar se rrit rrezikun e demencës. Profesoresha Leanne Ëilliams e Universitetit të Stanfordit ka identifikuar një metodë për të “vizualizuar” disa forma të depresionit në tru duke përdorur një skanim MRI, dhe duke parë nëse trajtimi ka funksionuar.

Kjo mund të jetë në gjendje t’i ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë më shumë shkaqet rrënjësore të problemeve të shëndetit mendor si depresioni, si dhe të ofrojë një mënyrë për të përcaktuar sasinë se si po shkon trajtimi për një pacient.

Pak kanë besuar më shumë në shkencë për të arritur jetëgjatësinë sesa Bryan Johnson, sipërmarrësi i teknologjisë që shpenzon miliona në një përpjekje për të ndryshuar moshën e tij biologjike.

Dhjetra suplemente, 19 orë në ditë agjërim, stërvitje që e bëjnë atë të duket sikur do të shpërthejë dhe një sërë trajtimesh (ndonjëherë të diskutueshme) janë ato që ai shpreson se do ta kthejnë orën biologjike. Sipërmarrësi i teknologjisë vë bast se ai mund të bëhet më i ri.

Por siç tha me forcë 103-vjeçari Mildred, i cili jeton në Loma Linda, “Ju duhet të jeni absolutisht shumë të kujdesshëm me dietën tuaj, është e vërtetë, por unë nuk jam i prirur për, “Duhet ta bësh këtë dhe këtë, dhe atë, dhe absolutisht mos e prek këtë!'”.

Ai mendon se është më e rëndësishme të jetojmë si duhet!

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë