Shendet

Zbulohet lidhja midis autizmit dhe baktereve të zorrëve, mund të ndihmojë në diagnostikimin e hershëm

Shkencëtarët kanë zbuluar një lidhje midis baktereve të ndryshuara të zorrëve tek fëmijët dhe autizmit dhe thonë se në të ardhmen mund të përdoren mostrat e jashtëqitjes për të përshpejtuar diagnozën.

Gjetjet nga studiuesit në Hong Kong, sugjerojnë se përbërësit specifikë të mikrobiomës së zorrëve, mikroorganizmat, duke përfshirë bakteret dhe viruset, që jetojnë në traktin tretës mund të ofrojnë një mënyrë të re për të diagnostikuar autizmin.

Edhe pse rezultatet, të publikuara në revistën Nature Microbiology, janë të reja, ekspertët thonë se janë të entuziazmuar sepse mund të ndihmojnë në diagnostikim më të shpejtë të fëmijëve që kanë autizëm.

Autizmi, i quajtur edhe çrregullimi i spektrit të autizmit (ASD), është një gjendje zhvillimore që ndikon në mënyrën se si një person komunikon, ndërvepron dhe përpunon informacionin.

Zakonisht nuk kërkohen teste laboratorike për një diagnozë të autizmit, pasi nevojitet vetëm vëzhgim nga një specialist. Por në disa raste fëmijët presin deri në katër vjet për një diagnozë të autizmit.

Dr Elizabeth Lund, eksperte e shëndetit gastrointestinal, e cila nuk ishte përfshirë në studim, tha: “Ideja që analiza e mostrave të jashtëqitjes mund të ndihmojë në diagnostikimin është shumë emocionuese”.

Sieë Ng nga Universiteti Kinez i Hong Kongut dhe kolegët analizuan mostrat e jashtëqitjes nga 1,627 fëmijë të moshës një deri në 13 vjeç, me ose pa ASD.

Ata zbuluan se përbërësit specifikë bakterialë dhe jo-bakterialë të mikrobiomës së zorrëve dhe funksionet e tyre mund të kontribuojnë në çrregullimin e spektrit të autizmit (ASD).

Duke marrë në konsideratë faktorë shtesë, duke përfshirë dietën, mjekimin dhe problemet e tjera shëndetësore, ata identifikuan se një sërë përbërësish të ndryshëm të mikrobiomës u ndryshuan tek fëmijët me ASD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë