Drejtësia

Abuzimi me fondet e BE, burg vetëm për Ilir Beqajn dhe Ermal Kurtulajn. Ish-ministri mohon akuzat, kërkoi të lirohet me garanci pasurore 5 mln lekë

Gazeta Si - Në një seancë që zgjati 6 orë (e cila nisi prej mesditës në 12:30), GJKKO vendosi të lërë në burg ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe bashkëpunëtorin e tij, Ermal Kurtulaj, të arrestuar për korrupsionin me fondet e BE në agjencinë "SASPAC".

Për bashkëpunëtorin e dytë të Beqajt sipas SPAK, Alfred Nikolli, Gjykata e Posaçme ndryshoi masën e sigurisë, duke e lënë në "arrest shtëpie" nga "arresti me burg". Ndërsa për të akuzuarit e tjerë nuk ka ndryshuar masa e sigurisë.

Gjatë seancës, Beqaj ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij para trupës gjykuese të Gjykatës së Posaçme. Ai madje ka kërkuar masë më të butë sigurie, duke ofruar garanci pasurore me vlerë 50 mijë euro, por GJKKO nuk pranoi.

“Nuk janë shkelur rregullat e BE që njihen si prag në gjuhën juridike dhe s’është përcaktuar cili nen është shkelur nga zoti Beqaj. Nuk është lëshuar asnjë faturë fiktive, ish-ministri nuk ka lidhje me restorantin”, janë pretendimet e palës mbrojtje.

Në përfundim GJKKO vendosi: 

ARREST NË BURG

Ilir Beqaj

Ermal Kurtulaj

ARREST NË SHTËPI

Elton Marini

Alfred Nikolli, ishte në burg

DETYRIM PARAQITJEJE

Bledar Leka

Bjona Zijaj

Në lidhje me restorantin, që sipas SPAK dyshohet si pasuri e fshehur e Beqajt, ish-ministri ka pretenduar se aty ka qenë ish-aksionere bashkëshortja e tij.

Sipas Beqajt, pikëtakimi mes ish-aksionerit kryesor dhe familjares së tij ka qenë Ermal Kurtulaj, por më pas, duke vënë re se nuk kishte interes është tërhequr.

Beqaj ka mohuar edhe pasurinë mbi një automjet në emër të Kurtulajt. "Unë në makinë jam gjithmonë pasagjer, - ka shpjeguar Beqaj, - pasi nuk kam leje drejtimi. Nuk bën sens të jetë pasuri e fshehur, pasi në vlerën e saj dhe në pasurinë e deklaruar prej meje mund të siguroja disa të tilla".

Garanci pasurore kundrejt lirisë ka ofruar edhe Ermal Kurtuaj, duke përmendur vlerën e përftuar nga shitja e një automjeti "Audi", por gjykata refuzoi.

Ishte parashikuar që ata të njiheshin të premten me masën e gjykatës, por pasi mbrojtja e të pandehurve kërkoi kohë që të njihet me aktet e dosjes, seanca u shty për këtë të shtunë.

Ilir Beqajt, Ermal Kurtulajt dhe Alfred Nikollës, iu është bërë komunikimi i masës së sigurisë, caktuar në mungesë pas hetimeve të kryera nga SPAK sa i takon dyshimeve se këta personave kanë abuzuar me fondet e SASPAC, ku ish-ministri i Shëndetësisë ka qenë drejtues i këtij fondi.

Mësohet se Ilir Beqaj është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij dhe përmes avokatit ka kërkuar lirimin me garanci pasurore në vlerën e 5 milionë lekëve. Seanca ka patur në dreke një ndërprerje prej 30 minutash.

Beqaj u arrestua të enjten së bashku me dy bashkëpunëtorë, pasi akuzohen për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës që ka qenë drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

SPAK njoftoi zyrtarisht se ka gjetur prova që Ilir Beqaj, në bashkëpunim me Ermal Kurtulajn, urdhëronte procedura fiktive prokurorimi, me vlerë qindra mijëra euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish-ministri përmes restorant “Gzona” në Tiranë.

SPAK thotë se restoranti është në pronësi të ish-ministrit. Nga hetimi rezultojnë 8 procedura tenderimit të dyshimta.

Ish-ministri i Shëndetësisë, i cili në këtë rast hetohet si ish-drejtor i agjencisë "SASPAK", gjatë një viti në këtë post, përmes Ermal Kurtulajt, dyshohet se devijuan përmes shërbimeve, si konferenca në fushën e mjedisit dhe të energjetikës, gati 500 mijë euro.

Në një rast, për një konferencë dy ditore shërbimi të ofruar, u prokurua me vlerë 125 mijë euro, një shumë e njëjtë e prokuruar edhe nga Ministria e Turizmit me një çmim 38 mijë euro, ku për të dyja eventet u kontaktua e njëjta shoqëri për fatura fiktive, të cilat u firmosën nga i arrestuari i tretë, Alfred Nikolla.

Çështja për abuzimet me fondet e BE-së, u zbulua nga hetimi i koncesionit të Check-up.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë