Ngjarje

Sivjet pa pagesë, Rama inaguron tunelin e Llogarasë: Vitin tjetër ulim avionin e parë në Vlorë

Nga Gazeta 'SI' - Kryeministri Edi Rama ka inaguruar hapjen e tunelit të Llogarasë, duke shkurtuar rrugën me rreth 20 minuta.

Me infrastrukturën e re do të duhen vetëm 7 minuta rrugë për të përshkruar distancë Dukat-Palasë.

Kreu i qeverisë e quan këtë projekt një vepër historike, që do të ndryshojë përgjithmonë udhëtimin drejt jugut të Shqipërisë.

 “Tunelin e kanë premtuar të tërë. Edhe aeroportin e Vlorës. Sot një vit ulim avionin e parë, korridorin e mbyllur do e bëjmë. Ajo që patë nga Thumana në Kashar, do të jetë nga kufiri me Malin e Zi deri te lidhja këtu në autostradën e Fier”, tha kryeministri teksa përshkonte tunelin në një autobus me banorë të zonës, shoqëruar nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj dhe sekretari i PS-së Blendi Klosi.

Gjatë sezonit veror të këtij viti, tuneli do aksesohet pa pagesë dhe më pas kalimi në të do të kushtojë 5 euro.

Aktualisht, edhe për të lehtësuar trafikun në sezonin turistik dhe udhëtimin e turistëve drejt jugut, është hapur vetëm njëri krah i tunelit. Pas mbylljes së sezonit turistik do të nisë puna për krahun tjetër dhe pritet që në vitin 2025 qarkullimi do jetë i hapur në të dyja krahët. 

Ky tunel, fillimin e tij e ka 500 metra larg urës së Shën Elizës, që është pjesë e rrugës Orikum-Dukat. Tuneli i Llogorasë përbëhet nga dy tunele, tuneli kryesor dhe ai i emergjencës. Si tuneli kryesor, ashtu edhe ai i emergjencës, kanë 11 tunele lidhëse me njëri-tjetrin në gjithë gjatësinë e tyre. Thellësia e vijës së projektit të tunelit është 1 kilometër nga sipërfaqja e tokës.

Prania e kreut të qeverisë dhe kabinetit u prit me këngë dhe valle dedikuar kryeministrit Rama dhe punës së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë