Gazeta Si - Dy ditë pas ekstradimit nga Graqia në Shqipëri, Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat e sigurimit "arrest në burg" për Laert Haxhiun.
Masa e parë u la për atë që njihet si "masakra e Lushnjës", ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.
Masa e dytë u dha mbi dëshminë e të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, i cili tregoi disa ngjarje të rënda kriminale, ku i përfshirë rezulton dhe Haxhiu.
Laert Haxhiu u ekstradua pak ditë më parë nga Greqia nën masa të rrepta sigurie. Në prill të këtij viti, Gjykata e Posaçme e dënoi atë me burg përjetë.
Ai u shpall fajtor per ngjarjen e ndodhur në Lushnjë në tetor të 2017-ës, ku mbetën të vrarë Jurgen Hoxha e Zamir Latifi dhe u plagosën dy persona të tjerë.
Në vendimin e gjykatës thuhet se shënjester e këtij atentati ishte Xhulio Shkurt, nipi i Aldo Bares, ish-kreu i bandës së Lushnjës, por ai u shpëtoi plumbave.
Për këtë atentat, sipas SPAK, shkak u bënë disa ngjarje të vjetra në qytetin e Lushnjës, mes familjeve Haxhiu dhe Bare.
Më herët për të njëjtën ngjarje janë dënuar me burg përjetë edhe Anterio Kaloshi e Orges Bilbili, dy bashkëpunetorët e Haxhiut.
Ky i fundit u arrestua rreth një vit më parë në Greqi, dhe pavarësisht se tentoi disa herë që t’i shpëtonte ekstradimit, autoritetet greke vendosën për ta sjellë në Shqipëri.
Haxhiu është dënuar me 19 vite burg nga Gjykata e Lushnjës për një tjetër atentat, ku u plagosën disa persona dhe sërish objektivi ishte Xhulio Shkurti.
Po kështu, emri i Laert Haxhiut doli nga dëshmia e Artan Tafanit, i cili pas arrestimit për një grabitje me armë, tregoi se grupi i Haxhiut ka organizuar të paktën katër vrasje dhe disa ngjarje të rënda kriminale që kanë ndodhur Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Korçë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.