Drejtësia

Akuza për fshehje pasurie/ SPAK kërkon 1 vit burg për ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelaj

Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelaj, duke kërkuar 1 vit burg për shkak të refuzimit të deklarimit dhe fshehje të pasurisë.

Në aplikim të nenit 59, SPAK kërkon që ish gjyqtari i Lartë të mos dërgohet në qeli, por të vendoset në shërbim prove për një periudhë 24 mujore.

SPAK kërkon që Zenelaj të shpallet fajtor për akuzën e “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë dhe personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.

Zenelaj u tërhoq nga sistemi drejtësisë para se të kalonte në filtrin e vettingut. Më 9 tetor të vitit të kaluar, ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë iu sekuestruan nga GJKKO edhe pasuritë, që përfshinin apartamente në zonën e Lezhës por edhe një truall në Porto Palermo.

Në deklaratën e pasurisë të bërë në vitin 2016, Zenelaj deklaronte se kishte në pronësi 18 apartamente dhe tre njësi ndërtimore në Ishull-Shëngjin, Lezhë. Si burim për krijimin e pasurive të paluajtshme, gjyqtari referoi një kontratë me një kompani të caktuar, por nuk dha të dhëna se sa është vlera e kontratës si dhe për burimin e parave që mbulojnë vlerën e kontratës.

Ndërkohë, vijon gjykimi për pasuritë e sekuestruara të Zenelajt, për të cilat shkalla e parë ka vendosur konfiskimin, por çështja është në Apel.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë