Gazeta Si - Rreth 60 minuta pasi nisi seanca për njohjen me masën e sigurisë për ish-ministrin Ilir Beqaj dhe dy persona të tjerë të përfshirë në çështjen e abuzimit të fondeve të BE, GJKKO vendosi ta shtyjë për nesër (të shtunën, 6 korrik) në orën 12:30 për shkak se avokatët kërkojnë kohë të njihen me akuzat.
Seanca për verifikimin e kushteve të masës ka nisur në orën 09:30 në Gjykatën e Posaçme, ku Beqaj ka qenë i pranishëm i shoqëruar nga furgonë të policisë së Burgjeve.
Beqaj u arrestua lidhur me dyshimet për abuzim me fondet e BE-së, për të cilat ai akuzohet se gjatë kohës që ka qenë drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) ka abuzuar me fondet e BE-së.
Beqaj akuzohet dhe për korrupsion dhe mos deklarim të ardhurave duke fshehur pronësinë e restorant 'Gzones' afër Kalasë së Tiranës dhe të një automjeti.
Drejt burgut ish-ministrin Ilir Beqaj e çoi një procedim penal i nisur 6 shtatorin e vitit të kaluar, regjistruar në ngarkim të Ermal Kurtulajt, koordinatori i EUSAIR, projekt i rëndësishëm i mbështetur nga fondet e Bashkimit Evropian dhe që menaxhohej nga Agjencia Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), ku Beqaj ishte drejtor.
SPAK thotë se ka gjetur prova se Ilir Beqaj si drejtues, në bashkëpunim me Kurtulajn, të cilin vetë e kishte emëruar, urdhëronte procedura fiktive prokurorimi, me vlerë qindra mijëra euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish ministri përmes Restorant "Gzona" në Tiranë, që SPAK thotë se është në pronësi të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.