Erion Braçe ishte deputeti i parë nga radhët e PS që u pyet nga media mbi arrestimin e ish-Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
“Kam parë vetëm këto lajmet e para, do duhet të kemi informacion me tepër. Sa kohë që bëhet fjalë për vjedhje duhet me pa një informacion më të zgjeruar për të kuptuar se ca ka ndodhur realisht. Reforma në drejtësi për këtë u bë, për të mbajt përgjegjës zyrtarët që abuzojnë me ligjin, në bazë të fakteve dhe provave për të vërtetuar një kauzë të ngritur ndaj cilitdo individi. Ende s’ka asnjë përgjegjës për 21 janarin ku janë vrarë njerëz, nuk janë vjedhur lek, s’ka përgjegjës për Gërdecin ku janë vrarë njerëz, për gjëra akoma më të rënda që kanë shënuar historinë e këtij vendi, ky është problemi, apo për cilindo që abuzon me ligjin rruga është e hapur për t’u ndjekur penalisht. I rrezikon fondet? Patjetër në momentin që ka implikime me fondet e BE duhet parë seriozisht gjëja me qëllim që të përmbushim detyrimit që BE vë për paratë e veta. PS duhet të mbajë një përgjegjësi morale, po e mban përgjegjësinë. Në momentin që paraqitemi para një gare elektorale, secili duhet të marrë kosto. PS është e angazhuar në një proces të thellë reformimi akoma dhe më të madh brenda saj, qeverisjes dhe legjislacionit që të adresojë korrupsionin.
Peshorja ka humbur ekuilibrin sa kohë në këtë vend merren jetë njerëzish dhe nuk mbahet askush përgjegjës, përkundrazi pjesa më e madhe është në kuvend. Drejtësia duhet të gjithëpërfshirës dhe të mbajë përgjegjës duke nisur nga për ngjarjet më të rënda që ka shënjuar historinë e këtij vendi. Jetën e njeriut s’ka të drejtë ta marrë askush. Këtu nga pushteti është marrë jeta e njerëzve edhe për të vjedhur edhe për të mbajtur pushtetin dhe s’ka ndodhur asgjë” tha Braçe.
Për arrestimin është pyetur edhe ministrja e Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali.
“Ç'është ky ngut?! Ç'është ky zell!? Ç'është ky ngut për të drejtuar mikrofonat për një çështje që do të gjykohet nga drejtësia?”, tha ajo. Ndërkohë deputetë të tjerë të Kuvendit si Pandeli Majko, Toni Gogu dhe Anila Denaj nuk komentuan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.