Nga Gazeta 'Si' - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se tri kushtet që ai vendosi në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, janë ato që garantojnë procesin e normalizimit me Serbinë.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se pa dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij, që kreu sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, tek autoritetet e Kosovës s’mund të ketë mirëbesim në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Tridhjetë e nëntë persona të atij grupi, nga 47 të identifikuar qartë ndodhen në listën e kërkimit ndërkombëtar nga INTERPOL-i. Për aq kohë sa Radoiçiç dhe grupi i tij janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim”, tha Kurti.
Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – mori përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Në sulm mbeti i vrarë një rreshter, ndërkaq gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.
Radoiçiç besohet se ndodhet në Serbi.
Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon se ka gisht në të.
Në raundin e dialogut, të mbajtur më 26 qershor, Bashkimi Evropian tha se Kurti nuk ishte i gatshëm për një takim trepalësh me ndërmjetësit evropianë dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, pas takimit tha se Kurti paraqiti tri kushte, të cilat Vuçiç nuk ishte i gatshëm t’i pranonte plotësisht.
Përveç dorëzimit të Radoiçiçit, Kurti ka kërkuar që Serbia të tërhiqet nga letra që kishte dërguar në bllokun evropian ish-kryeministrja Ana Bërnabiq, përmes së cilës Beogradi shprehu rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve. Kurti ka kërkuar që kjo marrëveshje, e arritur vitin e kaluar të nënshkruhet.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjes – që sipas BE-së është ligjërisht e obligueshme për palët – garantohet zbatimi i saj.
“Në tri takime dypalëshe sa u zhvilluan të mërkurën ne paraqitëm këto tri kërkesa të garancisë, që në fakt janë mburojë për vetë Marrëveshjen Bazë e cila është nën sulm të vazhdueshëm nga Serbia. Presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm të respektojë asnjë. Pra, as të nënshkruajë marrëveshje, as të tërheqë letrën për refuzimin e saj, por as ta dorëzojë kryekriminelin Radoiçiç”, tha Kurti.
“Nënshkrimi i marrëveshjes do të nënkuptojë formalizimin, tërheqja e letrës së Bërnabiç do të nënkuptojë seriozitet për fillim të zbatimit, kurse dorëzimi i kriminelit Radoiçiç dhe grupit të tij paramilitar do të nënkuptojë vendosje të drejtësisë dhe bashkëpunim të mirë fqinjësor”, shtoi kryeministri i Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.