Kosova

Takimi Kurti-Vuçiç, Konjufca: Nuk pres diçka esenciale. Asociacioni nuk është në rend dite

Nga Gazeta 'Si' - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duke komentuar takimin e së mërkurës midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç, tha se nuk pret diçka të rëndësishme dhe esenciale nga ky takim.

Konjufca tha se nuk në rend të ditës për Republikën e Kosovës nuk është çështja e Asociacionit, por zbatimi i marrëveshjes bazë nga Serbia.

“Nuk pres diçka të rëndësishme dhe esenciale. Nuk pres nga Serbia që ajo do ta zbatojë marrëveshjen bazike. Kurrfarë Asociacioni nuk është në rend dite për Republikën e Kosovës, njëherë për njëherë”, tha Konjufca.

Takimi u konfirmua nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Ky takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i lartë i bllokut për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Për mbajtjen e raundit të ri të dialogut u ra dakord gjatë vizitave që zhvilloi në Kosovë dhe Serbi gjatë kësaj jave, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiç u takuan në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë