Shendet

I nxehti afrikan, rritet me 10 % sëmundshmëria, ekspertët: Pasojat tek të sëmurët kardiakë fatale

Nga Gazeta Si- Vala e të nxehtit afrikan që ka përfshirë Shqipërinë, ka shtuar risqet në shëndetin publik, kryesisht të pacientëve që vuajnë me sëmundje të qarkullimit të gjakut. Eksperti i shëndetit publik Alban Ylli thotë për Gazetasi.al se gjatë ditëve të valëve të të nxehtit, rrezikohet një rritje e pasojave fatale nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut me mbi 10%.

Sipas Yllit, të moshuarit përbëjnë grupin më të madh të rrezikuar nga temperaturat e larta pasi ata shpesh vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike.

Me rritjen e moshës aftësia e trupit për të rregulluar temperaturën e trupit bie, tek ata ulet toleranca ndaj nxehtësisë, etja ndjehet vonë, reagimi i djersitjes është i vonuar dhe numri i gjendrave të djersës është i reduktuar.

Gjendja shëndetësore e individëve që vuajnë nga sëmundjet kronike rëndohet si pasojë e dëmtimit të disa mekanizmave përshtatës ndaj temperaturave të larta:

Të sëmurët kardiovaskularë kanë dëmtim të përgjigjes së termorregullimit, përgjigje e reduktuar e sistemit kardiovaskular dhe rrezik të lartë për trombozë koronare dhe cerebrale.

Tek ata ndodhin ndryshime në funksionin e veshkave të cilat mund të shkaktojnë çrrgullime të ritmit të zemrës.

Ata që vuajnë nga hipertensioni mund të bëjnë një rënie të papritur të presionit arterial e cila mund të çojë në ishemi cerebrale.

Tek të sëmurët me diabet dhe sëmundje të tjera endokrine, rëndimi i gjendjes shëndetësore është i lidhur me çrregullimin e qarkullimit të gjakut në lëkurë e cila mund të luajë një rol në reduktimin e shpërndarjes së nxehtësisë, gjithashtu djersitja reduktohet dhe ndodhin ndryshime metabolike.

Tek individët me SPOK, astmë dhe bronkit kronik rëndohet gjendja shëndetësore sipas efektit të kombinuar midis temperaturës së lartë dhe ajrit të ndotur. Për shkak të hiperventilimit këta të sëmurë kanë vështirësi në shpërndarjen e nxehtësisë, dhe dehidrimi pengon nxjerrjen e sekrecioneve nga rrugët e frymëmarrjes.

Gjithashtu përdorimi i disa medikamenteve mund ta rëndojë gjendjen shëndetësore të të sëmurëve kronikë. P.sh medikamentet antidepresive çrregullojnë aftësinë e trupit për të rregulluar temperaturën trupore, antihistaminikët ndikojnë në aftësinë e trupit për tu djersitur. Gjithashtu edhe betabllokuesit që merren për të kontrolluar HTA ndikojnë në djersitjen e trupit të individit.

“Tendencë kryesore në demografinë shqiptare është plakja e shpejtë e popullsisë, e cila rrezikon të shfaqë pasojat në cenueshmërinë shëndetësore lidhur me klimën dhe ndryshimin e saj. Përqindja e të moshuarve është më shumë se trefishuar që nga fillimi i viteve '90. Trendi do të vazhdojë, dhe parashikimet tregojnë të rëndësishme dallimet ndërmjet rajoneve. Popullsia e atyre mbi 80 vjeç është kategoria me më të lartat trend në rritje. Rajonet e pellgut të Vjosës, veçanërisht Gjirokastra dhe Vlora do të përjetojnë më të lartat. Gjirokastra do të ketë 45 të moshuar për 100 banorë mosha 15-64 vjeç, që në vitin 2031”, thotë eksperti Ylli.

Alarmi i mjekëve, evitoni orët e pikut, të sëmurët me hipertension në risk

Ekspertët thonë se efektet e temperaturave të larta në shëndet ndodhin kur sistemi i rregullimit të temperaturës së trupit tonë nuk arrin të shpërndajë nxehtësinë e tepërt.

Mjekja e familjes Mirela Dhamo, thotë se qytetarët gjatë këtyre ditëve, duhet të shmangin daljet gjatë mesditës dhe të konsumojmë sa më shumë lëngje për tu hidratuar.

“Kryesisht të moshuarve u rekomandoj të mos ekspozohen nga ora 10 deri në orën 5 të pasdites dhe të qëndrojnë në ambiente të freskëta. Të vishen lehtë, me veshje pambuku, të gjera dhe ngjyra të hapura, të mbajnë në kokë kapele ose çadër dhe syze dielli kur dalin nga shtëpia,  të mbajnë shtëpinë sa më të freskët deri në 25°- 27° Celsius”, thotë mjekja Dhamo.

Si duhet vepruar në situatat e të nxehtit ekstrem?

Në të gjitha situatat e të nxehtit ekstrem apo në temperaturat e larta ndiqni rekomandimet e autoriteteve shëndetësore.

- Mbani shtëpinë të freskët

- Mbani të freskët ambientin ku jetoni. Kontrolloni temperaturën e dhomës ndërmjet orës 8:00-10:00, në orën 13:00 dhe natën pas orës 22:00. Temperatura e ambientit ku jetoni duhet të mbahet nën 32°C gjatë ditës dhe 24°C gjatë natës. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për të porsalindurit, për individët mbi 60 vjeç, apo për ata që kanë probleme shëndetësore kronike.

- Freskoni shtëpinë gjatë natës. Hapni të gjitha dritaret dhe grilat gjatë natës dhe në mëngjes, atëherë kur temperatura e jashtme ulet.

- Mundohuni të ulni temperaturën në shtëpi. Mbyllni grilat dhe dritaret, veçanërisht ato që rrihen nga dielli. Mos mbani llambat ndezur, reduktoni vënien në punë të pajisjeve elektrike të gatimit apo larjes, etj.

- Nëse keni kondicioner, mbyllni dyert dhe dritaret me qëllim ruajtjen e temperaturës së brendshme, duke zvogëluar kështu konsumin e tepërt të energjisë.

- Shmangni të nxehtët

- Qëndroni në dhomën më të freskët të shtëpisë, veçanërisht gjatë natës.

- Në pamundësi për të mbajtur shtëpinë të freskët, shpenzoni 2-3 orë të ditës në mjedise të freskëta jashtë shtëpisë (për shembull në ambiente publike).

- Shmangni daljen nga shtëpia gjatë orëve më të nxehta të ditës.

- Shmangni aktivitetet fizike me intensitet të lartë nëse mundeni. Nëse duhet të bëni patjetër aktivitet fizik, atëherë shfrytëzoni orët e mëngjesit.

- Qëndroni në hije.

- Mos lini fëmijët apo kafshët në një automjet të parkuar.

- Konsultohuni me mjekun nëse nuk ndiheni mirë apo nëse gjendja juaj nuk përmirësohet.

Mundohuni të mbani trupin të freskët dhe të hidratuar

- Bëni dush me ujë të ftohtë.

- Vishni rroba të lirshme, mundësisht me materiale pambuku ose linoje. Nëse dilni nga shtëpia mbani kapelë me strehë të gjerë dhe mos harroni syzet e diellit.

- Mundohuni të flini pa jastëk dhe të pambuluar për të mos akumuluar nxehtësi.

- Pini rregullisht lëngje por shmangni alkoolin, kafet e tepërta dhe sheqerin.

- Konsumoni ushqim në racione të vogla dhe shpeshherë. Shmangni ushqimet e pasura me proteina.

Nëse ju keni një problem shëndetësor

- Mbani ilaçet në temperaturën nën 25°C ose në frigorifer.

- Kërkoni ndihmë mjekësore nëse vuani nga ndonjë sëmundje kronike apo nëse merrni më shumë se një ilaç.

Nëse ju apo dikush tjetër nuk ndihet mirë

- Kërkoni ndihmë nëse ndiheni i turbulluar apo i këputur, nëse keni dhimbje koke, gjendje ankthi apo etje shumë të madhe dhe të vazhdueshme. Zhvendosuni menjëherë në një mjedis të freskët dhe matni temperaturën e trupit.

- Pini ujë apo lëng frutash për t’u hidratuar.

Nëse njëri nga pjesëtarët e familjes ka lëkurë të nxehtë dhe të thatë, dridhje të forta apo gjendje të fikti, lajmëroni menjëherë mjekun e ambulancës. Ndërsa prisni për ndihmë, zhvendoseni të sëmurin në një dhomë më të freskët, vendoseni në pozicion horizontal mbështetur në njërën anë, ngrijani këmbët pak nga pozicioni horizontal, mundohuni ta freskoni duke e lagur me ujë dhe mos i jepni paracetamol.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë