Kosova

BE: Kurti dhe Vuçiç do takohen më 26 qershor në Bruksel

Nga Gazeta 'Si' - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të takohen në Bruksel më 26 qershor, për të zhvilluar raundin e ri të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Takimi u konfirmua nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Ky takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i lartë i bllokut për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Për mbajtjen e rundit të ri të dialogut është rënë dakord gjatë vizitave që zhvilloi në Kosovë dhe Serbi gjatë kësaj jave, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Lajçak deklaroi prerë se nëse Kosova nuk themelon Asociacionin dhe nëse Serbia nuk njeh Kosovën, të dy vendet nuk do të marrin në korrik paratë nga Fondi i Rritjes gjashtë miliardë eurosh i BE-së për rajonin.

Për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiç u takuan në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.

Disa ditë më vonë, më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit – në veri të Kosovës – duke vrarë një polic. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë