Rend dhe Ligj

Goditet ‘banda’ e policëve në Rinas, ryshfet deri në 500 euro për të kaluar qytetarë drejt BE. Një në kërkim dhe 8 të tjerë në hetim

Gazeta Si - Një skemë korrupsioni në radhët e policisë kufitare në Rinas është goditur nga AMP, e cila i kërkoi Gjykatës së Tiranës të vendosë "arrest në burg" për efektivët e Rinasit, Briken Tereziu dhe Eno Sulejmanajn, të cilët akuzohen se kanë kalonin qytetarë drejt vendeve të BE me shuma nga 50 deri në 500 euro.

Sipas Prokurorisë së Tiranës që ka zbardhur skemën e korrupsionit, vlerat shkonin edhe më shumë për ata që kanë problematika të tipit, nuk lejohen të udhëtojnë pasi janë të kthyer në kategorinë INAD apo deportiv nga shtetet e tjera, anëtare të BE-së.

Për Tereziun masa nuk është ekzekutuar ende, ndërsa Sulejmanaj ndodhet në burg, pasi u kap me 1 kilogramë kokainë kohë më parë.

Gjykata ka vendosur masën arrest shtëpie për 3 policiët Sokol Xhika, Aris Drini, Ermal Mesi. Ndërkohë, detyrim paraqitjeje është vendosur për 4 të tjerë: Enkis Aliaj, Argil Hasa, Ylli Prenci, dhe Rei Shenjtolli. Ndaj 8 efektivëve rëndon akuza për veprën penale "shpërdorim detyre", ndërsa Sulejmanajt i shtohet edhe një akuzë e re, "korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike".

E gjithë skema e korrupsionit në Rinas u zbardh pas zbërthimit të tabulateve telefonike të Eneo Sulejmanajt, njoftoi sot Prokuroria e Tiranës, 4 qershor 2024. Pasi u arrestua nën akuzën “prodhim dhe shitja e narkotikëve”, u zbulua skema përmes veprime proaktive të drejtuara nga prokurori Bledar Valikaj pas bisedave që Sulemanaj kishte me efektivin Briken Tereziu (në kërkim).

Veprimtaria kriminale dyshohet se është kryer nga marsi 2023 deri në mars 2024. Sulejmanaj kishte në zotërim një agjenci “Bus Albania”, që priste bileta avioni dhe përmes kontakteve që kishte me efektivin Tereziu kanë arritur që të realizojnë skemën e korrupsionit.

Sulemanaj priste biletat e avionit përmes agjencisë së tij dhe i dërgonte efektivit Tereziu të dhënat e personave që prisnin bileta në agjencinë “Bus Albania”. Efektivi kërkonte të dhëna rreth tyre në sistemin TIMS, për të verifikuar nëse plotësojnë kushtet për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së. Më pas, efektivi Terziu njoftonte ish-kreun e Transportit Ndërqytetës për problematikat që kishin personat që prisnin biletat.

Pasi këta persona verifikohen paraprakisht prej tij, ose punonjësve të tjerë të policisë, u jepeshin udhëzimet mbi kabinën ku duhet të paraqiten për përpunimin e të dhënave dhe ryshfetit që duhej të jepnin në këmbim që të lejoheshin për të udhëtuar.

Në varësi të problematikës, për rastet të cilat personat që nuk u lejohej kalimi drejt vendeve të BE, efektivi u jep udhëzime mbi itenerarin e udhëtimit që duhet të kryej pasagjeri, duke vendosur si destinacion fillestar aeroportet e vendeve që nuk janë në BE dhe më pas kryerjen e flutrimeve tranzit drejt vendeve të BE-së.

Në lidhje me rastet të cilat kanë problematika të tjera, në varësi të tyre përcaktohej edhe vlera e ryshfetit në këmbim të lejimit të kalimit. Vlera varionte nga 50 euro (për persona të cilët nuk kanë asnjë problematike, por mashtrohen prej tyre) deri në vlerat e 500 eurove apo më shumë për ata që kanë problematika të tipit, nuk lejohen të udhëtojnë pasi janë të kthyer në kategorinë Inad apo deportiv nga shtetet e tjera, anëtare të BE.

– Briken Tereziu me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor: Seksioni i kufirit, në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim detyre”; Masa e sigurisë “arrest në burg”.

– Eno Sulejmanaj për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Masa e sigurisë “arrest në burg”.

– Sokol Xhika me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor: Seksioni i kufirit, ne Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

– Ermal Mesi me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor: Seksioni i kufirit, në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, masa e sigurisë “arrest në shtëpi".

–Aris Drini me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor: Seksioni i kufirit, në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

-Ylli Prençi me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor: Seksioni i kufirit, në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas, në Drejtorine Vendore të Policisë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

–Rei Shenjtolli me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor: Seksioni i kufirit, në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas, në Drejtorine Vendore të Policisë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

– Enkis Aliaj me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor: Seksioni i krimit në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas, në Drejtorine Vendore të Policisë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore".

–Argil Hasa me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor: Seksioni i krimit në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas, në Drejtorine Vendore të Policisë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë