Nga Gazeta ‘SI’ – Rritja e pagave ngeci në fund të 2023-shit raporton Banka e Shqipërisë.
Sipas shifrave, në tre muajt e fundit të 2023-shit, paga në privat u rrit me 11.6% nga rreth 15% që ishte rritur tremujorin paraardhës. Kjo thotë BSH, ndikoi dhe tek rënia e rritjes së pagës mesatare bazë, që u rrit me 7.7% pas një rritje me 10.4%.
Rritja e vogël e pagave është ndikuar nga një ngrirje në sektorin e shërbimeve financiare dhe të sigurimit, që raporton pagat më të larta.
LEXO EDHE:
– BB: Edhe pse pagat rriten, produktiviteti në Shqipëri mbetet negativ prej 2015-s
– Vetëm 46% e bizneseve shqiptare u nxitën nga rritja e pagës në shtet
Nga krahu tjetër edhe kostot e punës patën një rritje më të vogël, lidhur me ecurinë e pagës duke ngushtuar kështu hendekun kosto-pagë. Për të gjithë 2023-shin, kosto reale e punës u zgjerua me 9.7%, disafish më e lartë se në 2022-shin, kur ishte 2.3%.
Për biznesin shqiptar edhe kostot e tjera kanë shfaqur një tendencë ngadalësuese. Çmimet e prodhimit u rritën me 3.1% nga 5.2% në tremujorin e tretë të vitit 2023. Çmimet e prodhimit për tregun vendas shënuan ngadalësim më të fortë se sa ato për eksport, duke u rritur me 4.2 nga 7.2% një tremujor më parë.
Pjesëmarrja në forcat e punës është ngadalësuar në tremujorin e katërt në pasqyrim të rënies së punësimit dhe rritjes së normës së papunësisë në terma tremujorë.
Rritja e pagave në Shqipëri nuk është shoqëruar me rritje të produktivitetit, thotë Banka Botërore në raportin e pranverës për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndonëse në vend u rritën pagat ndikuar nga një reformë qeveritare dhe mungesa e fuqisë punëtore, produktiviteti mbetet negativ që prej 2015-s.
Fenomeni dëshmohet në të gjitha vendet e BP, por është më i spikatur në Shqipëri, ku për 2023-shin pagat patën rritje dyshifrore, produktiviteti është në kahun negativ.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.