Gazeta Si – Dy ditë pas vrasjes së policit Novruz Cenalia në Fier, në orët e vona të kësaj të mërkure (15 maj) është dorëzuar në polici, autori i krimit, Azgan Mërnica.
Sipas burimeve, kanë qënë daja dhe babai i 23-vjeçarit ata që kanë bërë të mundur që familjari i tyre t’i hepte fund arratisë. Po ashtu sipas burimeve, besohët se pas vrasjes ai fshihej në fshatin Dërmenas të Fierit.
Gazetasi.al ka siguruar pamjet kur Mërnica, 23 vjeç futet në makinën private të familjarëve të tij dhe niset drejt Drejtorisë Vendore të Policisë Fier për t’u dorëzuar.
Në video, dëgjohen zërat e familjarëve të tij, teksa inkurajojnë të riun të futet në makinë për të shkuar në ambientet e policisë: “Azgan, Zoti para, hajde rrugën e mbarë”, – dëgjohet zëri i një gruaje, ndërsa Mërnica shpreh një buzëqeshje në fytyrë.
Ndërsa në një video tjetër një i afërm i tij e këshillon dhe i thotë “nëse të luan njeri aty brenda…”, ndërsa Azgani e qetëson, nga mimika e tij lë të nënkuptojë që është shumë i qetë dhe se nuk ka aspak frikë
Azgan Mërnicës, burimet bëjnë me dije, se nga forcat elitë RENEA i është bërë e qartë që duhej të dorëzohej, përndryshe RENEA ka qenë e orientuar për të vepruar në të gjitha drejtimet.
Cenalia, efektiv i forcave “Shqiponja”, u vra mesditën e të hënës në fshatin Baltëz të Fierit nga 23-vjeçari Mërnica.
Azgan Mërnica përballet me dy akuza, vrasje të punonjësit të policisë së shtetit dhe armëmbajtje pa leje. Nga vrasja, te arratia, e mosshfaqja e pendesës pozitat e tij nuk janë aspak të favorshme dhe rrezikon dënimin maksimal.
Ngjarja ndodhi pas një konflikti se kush kishte të drejtën për të kaluar me makinë në rrugën e fshatit. Të dy debatuan me fjalë e më pas dolën nga mjetet përkatëse, ku shkak dyshohet të ketë qenë një sherr banal, por nuk përjashtohet as pista e ndonjë hasmërie të vjetër, pasi si autori, ashtu edhe viktima janë të dy me origjinë nga Hasi.
Në këtë moment, Azgan Mërnica qëlloi me 1 plumb pistolete në kokë efektivin që po shkonte në punë të merrte shërbimin.
Ndërkaq, sot u përcoll për në banesën e fundit efektivi i policisë së forcave “Shqiponja” 28-vjeçari Novruz Cenalia.
Në hollin e Teatrit Bylis në Fier u vendos arkëmorti me trupin e pa jetë të 28-vjeçarit, ku u kryen homazhe nga familjarë, kolegë, qytetarë dhe autoritetet për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Më pas arkëmorti me trupin e tij u përcoll në banesën e fundit në varrezat e fshatit Baltëz.
Polici Novruz Cenalia u vra dy ditë më parë në fshatin Baltëz pas një konflikti të çastit me 23-vjeçarin Azgan Mernica, i cili pas kryerjes së kësaj vrasjeje arriti të fshihej deri sa për dorëzimin e tij negociuan familjarët e tij.
“Veprimet Operacionale u shtrinë në një perimetër shumë të gjerë në zonën ku ndodhi ngjarja, duke përdorur dronë të cilësisë së lartë, të cilët kanë monitoruar zonën gjatë gjithë kohës. Po në kuadër të veprimeve operacionale, u ngritën pika kontrolli në gjithë akset rrugore, u forcuan shërbimet në pikat e kalimit, në kufirin jeshil dhe blu. Paralel me veprimet operacionale në terren, policia ka zhvilluar negociata me familjarët e autorit për t’u vetëdorëzuar. Në pamundësi për tu larguar, familjarët kanë vetëdorëzuar në Polici autorin e vrasjes së punonjësit të Policisë shtetasin Azgan Mernica, 23 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier”, – thuhet në njoftimin për shtyp të policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.