Shendet

Pijet energjike dhe çrregullimet e gjumit, alarmi i mjekëve: Në urgjencë po shtohen rastet, më të prekur moshat nën 40-vjeç

Nga Gazeta Si- “Në fillim nisi si qejf. Shokët më kishin thënë të merrja pije energjike, sidomos kur isha turni i natës dhe duhet të rrija zgjuar. Por më vonë u bë e pamundur të mos merrja deri në 5 të tilla gjatë ditës.”

Sildi, 23-vjeç, teknik audio në një prej televizioneve kombëtare, thotë se prej 5 vitesh konsumon rregullisht pije energjike. Ai punon 2 punë dhe orari i tij zgjat përtej mesnatës.

“E kam të pamundur të rri zgjuar vetëm me kafe. Pijet energjike më karikojnë, më japin energjinë e duhur”, thotë i riu.

Mjeku Gerald Kola, në urgjencën e spitalit të Traumës, thotë se po shtohen shumë rastet në urgjencë me gjendje të ankthit dhe çrregullime të gjumit.

I kontaktuar nga Gazetasi.al, mjeku Kola thotë se mosha nën 40-vjeç janë target grupi që kërkon ndihmë më së shumti.

“Unë e shoh shqetësuese konsumimin e lartë të pijeve energjike dhe fatkeqësisht moshat e reja, kryesisht djem, vuajnë nga varësia e tyre. Shpesh dëgjojmë në urgjencë që shkaqet e konsumimit lidhen me përmirësimin e humorit, gjendjes shpirtërore por dhe energjisë. Është për të ardhur keq që pas cigares e kafes, pijet energjike kërkohen si stimuluese të humorit të mirë, kur në fakt sportet, hobet janë ato që duhet të kultivojë njeriu brenda vetes”, thotë mjeku Kola.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë