U bënë shumë vite pritje dhe ndonjëherë edhe poshtërim. Por tek Milan tani janë të lodhur nga kjo gjendje e ekipit 7 herë fitues i Ligës së Kampionëve dhe duan të fillojnë ringritjen në majë.
Sipas asaj që shkruajnë mediet italiane, me Leonardon dhe Maldinin në krye dhe mbështetjen e parave të Fondit Elliot do të fillojë projekti i ri për të “Milanin e Madh”. Çdo ka nisur mbarë në fakt këtë sezon me Xhenaro Gatuzon trajner.

Skuadra funksionon mirë dhe ka marrë pikë mjaftueshëm, madje mund të thuhet mbi pritshmërinë e drejtuesve dhe të tifozëve. “Ekipi më pëlqen edhe pse do duhet të rritet akoma më shumë, por jemi në drejtimin e duhur. Grupi pak nga pak po merr fizionominë e Gatuzo.”- pati thënë Paolo Maldini pas fitores së çmendur të Milan në Europa League me modestët e Dulanzh.

Revolucioni që po përgatisin në “shtëpinë e djallit” do të fillojë që në merkaton e këtij janari. Janë tre emrat më të përfolur për të zbarkuar në Millanello gjatë këtij dimri, Lukas Pakuetà, i cili tashmë është një lojtar kuqezi, Cesk Fabregas, një ëndërr e vjetër e milanistëve dhe mbrojtësi Diego Godin.
Tre lojtarë në tre reparte të ndryshme që do të përbëjnë boshtin e Milanit të ri që në sezonin e ardhshëm do të tentojë që jo vetëm të renditet në katër të parat, por edhe të zbresë nga froni Juventus, që duket si e salduar në vendin e parë.

Talenti brazilian, Pakueta ka firmosur me Milan dhe tek tifozët kuqezinj ai ngjall ëndrrat e një “Pato i Ri” edhe pse nuk luan fiks në pozicionin e tij. Ai madje ka zgjedhur edhe numrin që do të mbajë në fanellë, 39, një numër që ai ka thënë për mediet në Brazil që e ndihmon të shënojë gola, pikërisht ajo që duan më shumë tifozët kuqezinj në këto kohë.
Por kjo merkato që nuk ofron shumë mundësi do të jetë thjesht “riparuese” dhe me objektiv qendror për të kapur vendin e katër që të çon në Ligën e Kampionëve, aty nga ku do të nisi rrugën “Milani i madh” që të gjithë tifozët në Itali dhe më gjerë po e presin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




