Media Galeri

Athina ‘ngjyroset’ portokalli, mbulohet nga pluhuri i Saharasë (foto e video)

Një mjegull portokalli ka mbërthyer Athinën ndërkohë që retë e pluhurit erdhën nga shkretëtira e Saharasë.

Sipas zyrtarëve, ky është një nga episodet më të këqija që ka goditur Greqinë që nga viti 2018.

Greqia ishte goditur tashmë nga re të ngjashme në fund të marsit dhe fillim të prillit, të cilat mbuluan gjithashtu zona të Zvicrës dhe Francës jugore.

Qielli parashikohet të kthjellohet sot (të mërkurën), thotë shërbimi meteorologjik i Greqisë.

Cilësia e ajrit është përkeqësuar në shumë zona të vendit dhe mëngjesin e së mërkurës Akropoli në Athinë nuk ishte më i dukshëm për shkak të pluhurit. Reja ka arritur deri në veri, deri në Selanik.

Grekët me probleme të frymëmarrjes u është kërkuar të kufizojnë kohën që kalojnë jashtë, të mbajnë maska ​​mbrojtëse dhe të shmangin ushtrimet fizike derisa retë e pluhurit të pastrohen.

Sahara lëshon 60 deri në 200 milion ton pluhur mineral në vit.

Shumica e pluhurit zbret në Tokë, por disa nga grimcat e vogla mund të përshkojnë distanca të mëdha, ndonjëherë duke arritur në Evropë.

Atmosfera veçanërisht në Greqinë jugore është bërë mbytëse për shkak të kombinimit të pluhurit me temperaturat e larta.

Meteorologu Kostas Lagouvardos krahasoi pamjen nga një stacion meteorologjik në planetin Mars.

Shërbimi zjarrfikës raportoi të martën për 25 zjarre në 24 orët e fundit. Një zjarr shpërtheu pranë një baze detare në ishullin e Kretës, ku temperaturat u rritën mbi 30 gradë Celcius.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë