Kosova

Kosova, një hap larg anëtarësimit në KiE, 131 deputetë të Asamblesë votuan pro saj

Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbështeten anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Pro anetaresimit te Kosoves votuan 131 deputetë, kënder 29 kurse 11 abstenuan. Ky eshte hapi i pare. Hapi tjeter është mbledhja e Komitetit te Ministrave ne muajin maj, kur do të jepet edhe vendimi përfundimtar.

Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës rreth orës 17:30, filloi diskutimi lidhur me raportin për anëtarësimin ose jo të Kosovës në këtë organizatë.

Dora Bakoyannis, e cila edhe e ka përpiluar këtë raport, tha se gjatë punës së saj, asnjë “gur nuk ka mbetur pa u lëkundur” në përgatitjen e raportit dhe tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale duke i bërë thirrje Këshillit të Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Ajo ka thënë se juristët kanë konfirmuar qëndrimin se Kosova i përmbush kërkesat bazike për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Bakoyannis shpjegoi se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve.

Bakojanis ka përmendur hapat që ka bërë Kosova për t’i përmbushur kushtet, përfshirë edhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Kishës Ortodokse serbe në Deçan. Këtë e ka quajtur si “problemin më të madh në zbatimin e ligjit në Kosovë që ka pritur nga viti 2016”.

Duke folur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ajo ka thënë se këtë e ka konsideruar si çështje krejtësisht në kompetenca të brendshme të Kosovës. Por, ka thënë se kjo ka qenë një gur themel në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që e udhëheqë BE-ja. Prandaj, shtoi ajo, kjo çështje nuk është në duart e Këshillit të Evropës.

Ajo ka folur edhe për komente agresive që i ka marrë për raportin, shumicën e tyre prej vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën. Ajo u ka thënë atyre se duhet të jenë të sinqertë dhe të pranojnë se këto vende në asnjë rast nuk do ta mbështesnin raportin.

“Sepse ata refuzojnë idenë e shtetit të Kosovës, e jo vetëm respektimin e kushteve”, tha Bakoyannis.

Ajo tha se nuk ka pasur detyrë të merret me çështjen e shtetësisë. “Po të ishte kështu, unë nuk do të pranoja ta bëja raportin”, duke shtuar se ajo do të përshtatej me qëndrimin e vendit të saj, Greqisë.

Për t’u miratuar raporti nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës duhet të sigurohet një shumicë prej dy të tretave të votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës Enis Kervan nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDPT) i bëri thirrje Asamblesë për votë pozitive për Kosovën.

“Ne promovojmë tolerancë, dialog… Kushtetuta jonë garanton mbrojtjen e të drejtave për të gjitha pakicat kombëtare. Pakicat kombëtare kanë përfaqësi në trupa të rëndësishme vendimmarrëse, duke përfshirë, Qeverinë, gjyqësorin dhe institucionet lokale”, tha Kervan.

Nerea Ahedo, deputete nga Spanja, tha se i takon grupit që ka mbështetur pavarësinë e Kosovës, përkundër qëndrimit të shtetit të Spanjës dhe e mbështeti anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ka pyetje që duhet të zgjidhen. Anëtarësimi do të forconte të drejtat e njeriut. Ne do të mbështesnim këtë rrugë [të anëtarësimit]. Mirëpresim integrimin dhe mendojmë që kjo do të jetë edhe një mënyrë për të promovuar stabilitetin në atë zonë”, tha Ahedo.

Oleksii Goncharenko, deputet ukrainas mbështeti anëtarësimin e Kosovës.

“Dua të uroj Kosovën. Kosova e meriton. Bota e lirë duhet të bashkohet”, tha ai deputeti Goncharenko, vendi i të cilit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Deputeti gjerman Frank Schwabe përgëzoi raportin mbi Kosovën dhe bëri thirrje për anëtarësim e saj.

“Këshilli i Evropës, me vlerat tona dhe rregulla dhe kemi dinjitetin tonë. Ky anëtarësim nuk është një mjet për negocim. Ju kërkoj të mbështesni raportin e balancuar dhe t'i refuzoni amendamentet që e rrezikojnë këtë baraspeshë”, tha ai.

Alain Milon nga Franca tha se do të votojë pozitivisht por se “raporti nënvizon madhësinë e punës që duhet të bëjë Kosova si themelimi i Asociacionit”… që sipas tij, hapa për këtë mund të bëhen para votimit në maj.

Zsolt Nemeth nga Hungaria si përfaqësues i Partisë Evropiane Konservatore, tha se është kundër raportit që u prezantua sot.

Një ndër arsyet kryesore, siç tha ai, është çështja e mosthemelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Çështja e dytë është Serbia. Mospërfillja e interesave të Serbisë është destabilizuese”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë