Politike

U shpall kandidat për eurodeputet, Beleri falenderon Mitsotakis nga paraburgimi: Nuk është betejë personale

Nga Gazeta 'SI' - Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Fredi Beleri ka falenderuar kryeministrin grek për shpalljen e tij si kandidat në zgjedhjet europiane.

Beleri thotë se beteja e tij nuk është personale, por një betejë për të drejtën dhe të gjithë minoritetin grek në Shqipëri.

Reagimi i Belerit:

“Sot, kryeministri Kyriakos Mitsotakis më ofroi mundësinë për të konkurruar për votën e popullit grek në zgjedhjet evropiane të qershorit 2024, e falënderoj për këtë, por para së gjithash e falënderoj për mbështetjen e pakushtëzuar që më ka dhënë gjatë gjithë këtyre muajve i burgosur.

Beteja ime nuk është personale. Është një betejë për shtetin ligjor dhe demokracinë, rregullat e së cilës duhet të respektohen nga të gjithë. Është një betejë për vlerat që përfaqësojnë Perëndimi dhe Evropa dhe të cilat duhet të respektohen nga ata që duan t’i bashkohen familjes së madhe evropiane.

Është një betejë për pjesën më të vuajtur dhe më të padrejtë të helenizmit, minoritetin grek në Shqipëri. Vëllezërit dhe motrat e mia që pas dekadash shtypjeje duan dhe kanë të drejtë të jetojnë të lirë dhe të qetë, pa frikë, në një vend që respekton të drejtat, nderin dhe pronën e tyre.

I bëj thirrje çdo qytetari grek të mbështesë votën e Demokracisë së Re, të mbështesë kryeministrin që po ndërton me vendosmëri dhe metodologji një Greqi të fortë dhe krenare, Kyriakos Mitsotakis”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë