Nga Gazeta Si- FDA, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave ka miratuar përdorimin e Rejoyn, trajtimi i parë digjital me recetë për depresionin.
Rejoyn, i krijuar nga Otsuka Pharmaceutical dhe Click Therapeutics, është një aplikacion smartphone i destinuar për t’u përdorur së bashku me ilaçet kundër depresionit për njerëzit 22 vjeç e lart që kanë një diagnozë të çrregullimit depresiv. Ai përdor një program gjashtëjavor që kombinon një qasje të re të quajtur trajnimi kognitiv-emocional dhe mësimet e terapisë konjitive të sjelljes, sipas një njoftimi për shtyp.
Meqenëse Rejoyn klasifikohet si një pajisje mjekësore me rrezik të ulët dhe të mesëm, ajo duhej vetëm të provonte se është e sigurt dhe efektive, për të marrë lejen e FDA.
“Rejoyn përfaqëson një opsion të ri dhe emocionues trajtimi ndihmës për simptomat e çrregullimit të madh depresiv,” tha në njoftim Dr. John Kraus, nënkryetar ekzekutiv dhe shef mjekësor në Otsuka. “Ndërsa qasjet tradicionale janë shpesh efektive, shumë prej tyre kanë mbetur vetëm me një përgjigje të pjesshme ndaj trajtimit.”
Depresioni është një nga çrregullimet më të zakonshme të shëndetit mendor. 1 në 8 persona thonë se janë në depresion ose marrin trajtim për depresion në botë. Hulumtimet kanë zbuluar gjithashtu se deri në 30% e njerëzve që marrin ilaçe kundër depresionit janë ‘reagues të pjesshëm’, që do të thotë se ata vazhdojnë të kenë simptoma depresive gjatë përdorimit të ilaçeve.
Rejoyn është krijuar për të shërbyer si një ndihmës i ilaçeve kundër depresionit për këta reagues të pjesshëm. Aplikacioni përdor një formë trajnimi kognitiv-emocional të quajtur ‘Detyra e Kujtesës së Fytyrave Emocionale’, në të cilën njerëzve u kërkohet të identifikojnë dhe krahasojnë emocionet e shfaqura në një seri fytyrash. Hulumtimet paraprake tregojnë se këto ushtrime mund të stimulojnë korteksin dorsolateral paraballor, rajon i trurit që mendohet se sjell problemet me depresionin.
“Rejoyn ka një mekanizëm neuromodulues të krijuar për të vepruar si terapi fizike për trurin duke ofruar ushtrime të personalizuara dhe të qëndrueshme të trajnimit të trurit, të krijuara për të ndihmuar në përmirësimin e lidhjeve në rajonet e trurit të prekura nga depresioni,” thotë Dr. Brian Iacoviello, këshilltar shkencor në Click Therapeutics.
Por ky aplikacion ka hasur në kundërshtime, me John Torous, ekspert i psikiatrisë digjitale thotë se kjo qasje e trajtimit kognitiv-emocional nuk është një mekanizëm i mirëmenduar dhe se duhet të bëhen ende kërkime për të.
Vendimit për Rejoyn u dha nga FDA në bazë të rezultateve nga një provë klinike që përfshinte 386 njerëz të moshës 22 deri në 64 vjeç, të cilët kishin një diagnozë të çrregullimit depresiv që nuk i përgjigjej antidepresivëve. Ata u caktuan të përdornin ose aplikacionin Rejoyn ose një aplikacion të rremë që jepte detyra memorie që nuk përfshinin trajnime kognitive-emocionale ose terapi konjitive të sjelljes.
Studimi zbuloi se ndërsa pjesëmarrësit që përdornin aplikacionin Rejoyn treguan një përmirësim të simptomave depresive nga fillimi, ndryshimi mesatar nuk ishte dukshëm i ndryshëm nga ndryshimi i vërejtur me aplikacionin e rremë.
Torous tha se ndërsa është e rëndësishme të theksohet se studimi nuk provoi se Rejoyn ka një përfitim statistikisht të rëndësishëm, aplikacioni gjithashtu nuk është krijuar për të qenë një trajtim i pavarur.
“Nëse përfitimi është minimal, por rreziqet janë minimale, ndoshta nuk ka të keqe ta provosh atë,” tha ai, duke shtuar se gjithsesi pret që të ketë më shumë hulumtime.
Rejoyn do të kërkojë një recetë për shkarkim dhe do të jetë i disponueshëm në fund të vitit 2024.
Otsuka tha se do të përpiqet ta bëjë mjetin “të arritshëm dhe të përballueshëm”, por nuk specifikoi çmimin.
Torous vuri në dukje se kompanitë e sigurimeve mund të mos mbulojnë aplikacionin sepse nuk tregoi efekt të rëndësishëm në provat klinike.
“Kufiri tjetër do të jetë edukimi i të gjithëve mbi rreziqet dhe përfitimet e këtyre mjeteve. Shumë mjekë mund të mos jenë të gatshëm ose të përgatitur për të filluar recetat”, tha ai.
Ekziston gjithashtu pyetja se sa të angazhuar do të jenë pacientët me aplikacionin, tha Torous. Studimi i Rejoyn zbuloi se 88% e pjesëmarrësve përfunduan të paktën 12 nga 18 seancat e trajtimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




