Drejtësia

Gjykata e Lartë lë në fuqi sekuestron e 25 pasurive të Jamarbër dhe Argita Malltezit

Gazeta Si- Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi sekuestron e 25 pasurive të Jamarbër dhe Argita Malltezit, pasi dhëndri i ish-kryeministrit Berisha është nën hetim për aferën e privatizimit të klubit sportiv "Partizani".

Trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni nuk kanë pranuar rekursin e dhëndrit dhe vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Bëhet fjalë për 25 pasuri që janë vënë në sekuestro me kërkesë të SPAK-ut, në kuadër të hetimeve për procedurën e ndjekur për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ku Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.

Ndër pronat e sekuestruara janë disa apartamente, disa llogari bankare, një vile në Gjirin e Lalëzit dhe kuotat e disa kompanive.

Malltezi u arrestua në tetor të 2023, për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” dhe pas një muaj qëndrimi në qeli u lirua nga gjyqtarja e Apelit, Iliriana Olldashi që caktoi masën e “arrestit shtëpiak”.

Gjykata e Apelit ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për Malltezin. Nga ana tjetër ai dorëzoi rekurs në Gjykatën e Lartë kundër masës “arrest shtëpie”.

Ndërsa Sali Berisha, edhe ai në hetim për aferën e klubit sportiv 'Partizani", prej datës 30 dhjetor mbahet i izoluar në banesë për shkak se SPAK i kërkoi gjykatës ashpërsim të masës pasi nuk respektoi vendimin e parë të gjykatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë