Politike

Gazment Bardhi për arrestimin e kryebashkiakut në detyrë të Himarës: SPAK të hetojë edhe Ramën

Nga Gazeta 'Si'-Arrestimi i kryebashkiakut në detyrë të Himarës, Jorgo Goro, ka rikthyer debatin mbi çështjen e zbatimit të ligjit për investimet strategjike.

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, I kërkoi kryeministrit shkarkimin e menjëhershëm të zotit Goro, gjë që deri të dielën pasdite nuk ndodhi. Zoti Bardhi e shikon vonesën e kryeministrit si vazhdim të bashkëpunimit në krim për grabitjen e pronave punike dhe private në bregdet. 

“Ky është nga ato rastet, kur i vendoset syri një pasurie për ta grabitur, më pas merret vendimi dhe pastaj “bëhen letrat”.- tha zoti Bardhi, i cili i kërkoi SPAK-ut të mos kufizohet në hetime vetëm me kryebashkiakun e arrestuar të Himarës.

“Duke qenë se drejtësia e ka të hapur çështjen, kërkesa ime e sinqertë është që të hetojnë dhe kryeministrin Edi Rama. Ai e dha statusin e investitorit strategjik në një pronë me dokumenta të fallsifikuara nga kryebashkiaku i tij, pasi ishte bërë publik një denoncim për vjedhjen e kësaj prone”- tha Gazment Bardhi, i cili i përgjigjet pyetjes edhe për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, bashkëshorti i të cilës fitoi statusin e investitorit strategjik për pronën e fallsifikuar për të cilën është arrestuar kryebashkiaku në detyrë i Himarës.

Gazeta Si: Zoti Bardhi, pas arrestimit të kryetarit në detyrë të Bashkisë Himarë Jorgo Goro, ju kërkuat dhe shkarkimin e tij të menjëhershëm, gjë që ende s’ka ndodhur. Keni një ide pse kjo vonesë?

Gazment Bardhi: Kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjit dhe respektimin e vendimeve të drejtësisë, kryeministri ynë ka dy standarde. Ai, kurrë, nuk bën atë që thotë, nëqoftëse kjo i rrezikon pushtetin apo ekspozimin e tij publik si i korruptuar. Nga njëra anë, kemi një kryeministër që na shfaqet si Mesia i drejtësisë, nga ana tjetër, kur drejtësia vendos para ligjit bashkëpunëtorët e ngushtë, hesht dhe nuk vepron. Në rastin e kryebashkiakut në detyrë, Jorgo Goro, kryeministri duhet ta kishte marrë vendimin e shkarkimit që pas njoftimit zyrtar të SPAK-ut. Shkarkimi i menjëhershëm, pa u dhënë kohë bashkëpunëtorëve të fshijnë vendin e krimit, është një akt politik, që tregon orientimin e kryeministrit për çështjen konkrete. Në këtë rast, Edi Rama është bashkë me Jorgo Goron në aferën korruptive të shpalljes si investitor strategjik mbi dokumenta të fallsifikuara shtetërore të bashkëshortit të ministres së tij të jashtme, në atë kohë, Olta Xhaçka. Ky është nga ato rastet, kur i vendoset syri një pasurie për ta grabitur, më pas merret vendimi dhe pastaj “bëhen letrat”. 

Gazeta Si: Gati 2 vite më parë ju kërkuat ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjike dhe ishit caktuar ju për ta drejtuar atë. Tani qe ka të dhëna zyrtare nga SPAK-u për abuzimin me detyrën shtetërore, do ta kërkoni sërish komisionin? 

Gazment Bardhi: Në atë kohë, ne e kërkuam komisionin pikërisht për të hedhur dritë mbi abuzimet e qeverisë me pronat publike. Ne donim të shihnim si ishte zbatuar ligji për investimet strategjike, pasi kishte denoncime të forta në media se ligji nuk po përdorej për të sjellë investime të huaja, por për të pasuruar njerëzit e afërt të kryeministrit, në politikë dhe në biznes. Rasti i Himarës me Jorgo Goron nuk është rasti i vetëm i abuzimit me ligjin. Por kjo nuk është një çështje e imja personale. Pra, për t’i dhënë përgjigje pyetjes suaj, ky është një vendim që duhet marrë në grup. Megjithatë, duke qenë se drejtësia e ka të hapur çështjen, kërkesa ime e sinqertë është që të hetojnë dhe kryeministrin Edi Rama. Ai e dha statusin e investitorit strategjik në një pronë me dokumenta të fallsifikuara nga kryebashkiaku i tij, pasi ishte bërë publik një denoncim për vjedhjen e kësaj prone. Nëse hetohet soç duhet, rrjeta e grabitjes së pronave publike dhe private në bregdet nuk do të ndalojë tek një rast, nuk do të ndalojë tek kryebashkiaku i arrestuar, por do të shkojë deri tek kryeministri. 

Gazeta Si: Është ky rasti që PD të kërkojë nga qeveria zhbërjen e vendimit për dhënien e statusit të investitorit strategjik të bashkëshortit të ish Ministres Xhaçka? 

Gazment Bardhi: Do të investohem personalisht në këtë çështje, jo thjesht për t’u vënë drejtësia në vend përmes zbatimit të paanshëm të ligjit, por për t’u treguar shqiptarëve se kryeministri  që i qeveris nuk është as vizionar, siç tregon në përrallat e tij, as i ndershëm. Edi Rama është kryeministër rekordmen në grabitjen e pasurive publike, rekordmen në abuzimin me pushtetin dhe kampion në korrupsion. Vendimet e Edi Ramës për Bregun, janë vendime për përfitim personal, jo publik. Pronat publike janë ndarë dhe po ndahen tek familjarët e ministrave, tek miqtë e Edi Ramës dhe tek një grusht oligarkësh pranë tij. Nuk është e rastësishme që afatet për zbatimin e këtij ligji të përkohshëm, i cili duhet të përfundonte në 2018, janë shtyrë 3-4 herë deri tani. Shtyrja më e fundit ishte 2 javë më parë me një procedurë të paligjshme, ku mungonte numri i duhur i deputetëve për të plotësuar kuorumin. 

Gazeta Si: Zoti Bardhi, ka edhe një çështje tjetër që lidhet me rastin e pronës së hetuar nga SPAK, mandati i deputetes Olta Xhaçka. Në ç’fazë është procedura dhe pse Kuvendi po e vonon vendimin për ta çuar çështjen për gjykim në Gjykatën Kushtetuese, siç ka urdhëruar kjo gjykatë 1 vit më parë? 

Gazment Bardhi: Ky është një tjetër rast i dy standardave të Edi Ramës në raport me ligjin dhe instotucionet e drejtësisë. Një rast tjetër, kur ai nuk bën atë që thotë. Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë kërkesës së grupit parlamentar të PD-së se nuk është Kuvendi ai që vendos për pajtueshmërinë e mandatit të deputetit, por Gjykata Kushtetuese. Në një shtet të vërtetë demokratik, vendimet e Kushtetueses nuk diskutohen, por zbatohen. Kjo gjë nuk po ndodh prej më shumë se 1 viti me mandatin e deputetes Olta Xhaçka, sepse atë e mbron kryeministri. Dhe e mbron sepse janë të dy të përfshirë në të njëjtin krim-në përvetësimin dhe dhënien e pronave publike për gjoja investime strategjike, që, në të vërtetë, janë disa vila luksi të ndërtuara përballë një plazhi fantastik në Himarë, i hequr nga fondi publik për përdorim privat për 30 vjet. Ata duan ta shtyjmë përcjelljen e çështjes së mandatit në Gjykatën Kushtetuese derisa t’u afrohemi zgjedhjeve dhe çështja ta humbasë rëndësinë. Edi Rama tallet me Gjykatën Kushtetuese, tallet me Kuvendin. Tani do të shohim, nëse po tallet edhe me SPAK! 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë