Turmat njerëzish u mblodhën mëngjesin e sotëm në veri të Londrës për të admiruar një murale në formën e një trungu peme, e cila u shfaq papritur në një ndërtesë e që besohet se është krijim i artistit të famshëm të rrugës, Banksy.
Autorësia e murales që tregon një pemë me kurorën e prerë në sfondin e godinës së lyer me bojë të gjelbër, nuk është konfirmuar ende plotësisht, megjithatë banorët lokalë nuk kanë asnjë dyshim, madje i thanë BBC se janë “krenarë dhe të lumtur” që artisti anonim, i vlerësuar në mbarë botën, zgjodhi pikërisht rrugën e tyre për krijimin më të fundit të tij.
“Mendoj që është vepër e Banksyt, jam i bindur për këtë. Nxitova që të vij me vajzën e të bëj një fotot këtu, ta ketë kujtim”, tha Gavin Hudson, banor.
Një tjetër banore e zonës, Wanja Sellers, u shpreh gjithashtu “shumë e lumtur që Bansky zgjodhi lagjen e saj për artin e tij.
“Ngjyrat e ndezura të gjelbërta përfaqësojnë Islingtonin, i cili është i lezetshëm. Përzgjedhja e ngjyrave e bën të duket si mesazh personal për banorët. Jemi shumë krenarë”, tha ajo.
Bansky zakonisht e konfirmon punën e tij përmes llogarisë në Instagram dhe faqes që ka.
Një nga punët e tij të fundit, ku shiheshin disa dronë ushtarakë në Pekham, në jug të Londrës, u konfirmua dhjetorin e vitit të kaluar, por ajo u vandalizua më vonë prej dy burrave, të cilët tashmë janë arrestuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.