Ukraina ka prezantuar fortifikime të betonta të ndërtuara së fundmi, të cilat shpreson se do të shtrihen përgjatë 1200 kilometrave, për të ndalur sulmet e Rusisë.
Një bunker betoni i ndërtuar si pjesë e sistemit të ri të fortifikimeve të Ukrainës u shfaq në media më 11 mars, ndërsa vendndodhja e saktë nuk u bë e ditur por u tha të jetë pranë Zaporizhjas.
Presidenti Volodymyr Zelensky pretendon se hovi i trupave ruse është ndaluar, pasi vendi i tij nisi ndërtimin e fortifikimeve mbrojtëse përgjatë afro 1000 kilometrave.
Zelensky, në një intervistë për televizionin francez BFM më 11 mars, tha se Ukraina ka përmirësuar pozicionin e saj strategjik pavarësisht mungesës së armatimit, por u shpreh se situata mund të ndryshojë përsëri nëse nuk vijnë furnizime të reja.
“Situata është shumë më e mirë se sa ka qenë gjatë tre muajve të fundit", tha Zelensky. “Ndërtimi i tri linjave mbrojtëse është një detyrë masive, por ritmi është i mirë”.
Ukraina ka përdorur gjithnjë e më shumë bunkerë të parafabrikuar luftarakë. Ata u shfaqën për herë të parë në Donbas, në vende si Avdivka dhe Marinka, dhe aktualisht po vendosen në zona ku sulmet ruse janë shumë të mundshme.
Kryeministri Denys Shmyhal raportoi në janar se Kievi kishte dhënë 466 milionë dollarë për ndërtimin e fortifikimeve, duke e quajtur atë një “shumë rekord”.
Para se të instalohen këta bunkerë, bëhet inspektimi i pengesave kundërtank në formë piramide, të njohura si "dhëmbët e dragoit".
Wall Street Journal më 7 mars tha se trupat ukrainase po e forcojnë mbrojtjen në pritje të një ofensive ruse në pranverë, megjithëse ka raporte se përparimi nuk është mjaft i shpejtë.
Zelensky paralajmëroi se ndalimi i forcave ruse do të jetë gjithnjë e më i vështirë nëse ushtria ukrainase nuk furnizohet mjaftueshëm me armatim. /REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.