Ngjarje

Ekzekutohet me armë zjarri në oborrin e banesës në Fushë Krujë, ish polici i burgjeve Gentjan Bejtja

Nga Gazeta ‘Si’- Është ekzekutuar me armë zjarri në oborrin e banesë së tij, ish-polici i burgjeve, Gentjan Bejtja. Mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur në Larushk të Fushë Krujës. 

Një makinë e djegur është gjetur në fshatin Hasan, rreth 5km larg vendit ku ndodhi ngjarja, pak pas atentatit ndaj Bejtjas. Dyshohet se makina iu përket autorëve të cilët ekzekutuan Bejtjan.

Burimet bëjnë me dije se dyshohet se kanë qenë dy ekzekutorë që kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe policia, e cila raporton se “në fshatin Larushk, Krujë, nga persona ende të paidentifikuar është vrarë me armë zjarri shtetasi G. B.”

Atentatet e mëparshme

Bejtjas pak muaj më parë i bënë antenat në banesë, ku nga të shtënat me armëve u vra kunati i tij, Ramazan Sino dhe u plagosen dy fëmijët e tij të mitur.

Bejtja ndodhej në makinë me ta, por pak minuta para se të mbërrinte në vilën e tij në Larushk, ai zbriti nga makina duke i shpëtuar atentatit. Për krimin në fjalë u arrestua Valter Bami.

Bejtja u ka shpëtuar edhe më parë atentateve. Në vitin 2022, ndaj tij është qëlluar me breshëri kallashnikovi teksa lëvizte me makinë në zonën e Niklës, i shoqëruar nga Klodian Stafuka. Në atë kohë Gentian Bejtja mbeti i plagosur.

Ai i ka shpëtuar edhe në 2016 një tjetër atentati me eksploziv në makinë ku edhe në atë kohë u dëmtua.

Gentjan Bejtja rezultonte person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe pronës, si dhe i arrestuar me arsenal armësh në banesë.

Ai është hetuar edhe për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, pasi u dyshua bashkë me Enver Stafukën, si një nga autorët e vjedhjes së makinës nga e cila u vra Lamaj, në shkurt 2013.

Bejtja është lakuar dhe në disa ngjarje kriminale të ndodhura në Tiranë dhe Durrës, ku pas marjes në pyetje ai është lënë sërish i lirë. Në vrasjen e Arben Mërkurit alias “Maneci”, Gentjan Bejtja ka dhënë shpjegime në polici mbi atë çfarë dinte. Më pas ai është lënë i lirë.

Ndërsa pyetja e tij në polici, ka vijuar dhe për ngjarjen e vrasjes së Iljaz Çalit në autostradë dhe tek vrasja e ndodhur një vit më parë në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku mbetën të vdekur Briland Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë