Lajme

Tregtia, Shqipëri-Kosovë përplasen me Bosnjën e Serbinë në Budva

Në kulmin e acarimit të marrëdhënieve tregtare mes Kosovës dhe Serbisë, pas vendosjes së doganës kosovare 100 për qind mbi mallrat serbe, konflikti duket se është thelluar këtë të premte në Budva të Malit tëZi, ku mbajti punimet ministeriali i ministrave të Jashtëm tëBallkanit Perëndimor. Ministrat e Jashtëm të Kosovës dhe Shqipërisë kanë qenë protagonistë të një debati të tensionuar me ministrin e Jashtëm të Bosnjë Hercegovinës, Igor Carnadak dhe përfaqësuesit serb.

Në punimet e ministerialit të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli ka kërkuar një ndryshim të vogël në deklaratën e përbashkët të ministrave të WB6 për respektim të ndërsjelltë për Kosovën në zbatimin e marrëveshjes CEFTA. Një propozim që nuk është mirëpritur nga përfaqësuesit e Bosnjës dhe Serbisë.

Sipas burimeve diplomatike, në krah të Pacollit ka dalë dhe ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, i cili ka kërkuar një vendimmarrje politike për kërkesën e Pacollit, duke bërë thirrje për kompromis.

Gjatë debatit, shefi i diplomacisë shqiptare ka theksuar me tone të prera, se nëse Bosnja dhe Serbia nuk tregojnë mirëkuptim, atëherë dhe për Shqipërinë dhe Kosovën është shumë e lehtë të kthehen tek qëndrimet kombëtare, por kjo nuk i shërben kompromisit.
“Nëse për Serbinë e Bosnjën përbën problem futja e respektit të ndërsjellë në zbatimin e marrëveshjes së CEFTA-s, atëherë Shqipëria qëndron në krah të Kosovës dhe nuk pajtohet me asnjë deklaratë tjetër”, mësohet të ketë thënë Bushati.

Në fund, takimi i Budvës u mbyll me një tekst të përbashkët, për të cilin pala shqiptare këmbënguli që të miratohej me konsensus pas kundërshtimit të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës për të pranuar ndryshimet e propozuara nga Kosova.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë