Kosova

Escobar: Nuk po i kërkohet vetëm Kosovës të marrë vendime të zorshme por edhe Serbisë!

Nga Gazeta ‘Si’- I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar theksoi në një konferencë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Ai i hodhi poshtë pretendimet e presidentes Osmani se BE-ja po tregon mungesë të qasjes së barabartë në ndërmjetësimin e dialogut.

“Të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë të marrëveshjes, pra nuk është përpjekje e njëanshme që vetëm Kosova t’i marrë ato vendimet e zorshme”, tha Escobar.

Osmani tha se është jetike të ketë zbatim të plotë të marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar mes palëve.

“Prandaj, qasja selektive vetëm ndaj nesh të marrëveshjes bazike nuk do të ndihmojë, sepse të gjitha nenet kanë rëndësi”, tha ajo.

Escobar gjithashtu theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuar lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe i bëri thirrje Serbisë që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

“Në takimin tonë patëm një bisedë të sinqertë lidhur edhe gjendjen e sigurisë, jemi tepër të shqetësuar për ngjarjen e 24 shtatorit, e ftojmë Serbinë që gjithë ata që janë përgjegjës të dalin prej drejtësisë dhe të japin llogari të plotë për atë sulm”, ka thënë Escobari.

Ai përmendi edhe vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin, duke e konsideruar atë si sfidë dhe shtoi se gjatë vizitës në Prishtinë do të ketë takime për dinarin.

“Duhet të gjejmë mënyra se si mund të ecim përpara në dialog, që përfshin Asociacionin, por jo vetëm atë, edhe siç përmendi presidentja, dy palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë, duke pasur një marrëveshje historike, por edhe ne e ftojmë Serbinë të vazhdojë të zbatojë. Marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet”.

Escobar, gjatë një bashkëbisedimi të hapur me gazetarë në Bruksel të martën, e quajti “katastrofik” dhe “jokompetent” vendimin e autoriteteve kosovare për të zbatuar rregulloren e dinarit.

Ndërkohë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se bashkëpunimi me SHBA-në duhet të jetë bosht i veprimeve të institucioneve të Kosovës. Ajo kërkoi nga Serbia të ekstradojë në Kosovë terroristët e sulmit të Bajnskës.

Duke folur për dialogun me Serbinë, Osmani tha se Kosova mbetet e përkushtuar, por nënvizoi nevojën që ndërmjetësuesi të ketë qasje të balancuar në këtë proces.

Gjatë vizitës së tij, Escobar pritet të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti, opozitën dhe përfaqësuesit e komunitetit serb, për të biseduar për çështjen e dinarit serb.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë