Gazeta Si – Alibia e Mikea Zakës, 23-vjeçarit shqiptar që shkaktoi një masakër, duke vrarë bashkëkombësin e tij Kasem Kasmi dhe plagosur tre të tjerë në një lokal në Forzinone, shihet akoma me dyshime nga hetuesit.
Deklarata e tij se sherri mes shqiptarëve kishte ndodhur për një vajzë, nuk është e besueshme, duke lënë dyshime se tregtia e drogës është pista kryesore.
LEXO EDHE:
Sherri mes shqiptarëve në Frozinone për një vajzë? Vrasësi rrëfen: Më sulmuan, duhet të mbroja veten
Njëzet mijë euro cash të gjetura gjatë kontrollit të kryer nga policia pak ditë më parë në shtëpinë e Zakës, i cili ishte proceduar penalisht për posedim të lëndëve narkotike, sugjerojnë motivin e vërtetë të ngjarjes. Një luftë për kontrollin e tregjeve të drogës dhe prostitucionit.
Pasi qëlloi me shtatë të shtëna me armë në drejtim të Kasem Kasmit, 27 vjeç, i cili humbi jetën përballë Bar Shake në Frozinone në fund të 20 minutave agonie, Zaka plagosi tre miqtë që ishin me viktimën dhe u largua shpejt.
Dyshimet e hetuesve
Policia ka hapur kamerat, por ndërkohë Zaka, 23 vjeç, baba i një vajze trevjeçare, telefonon avokatin e tij, Marco Maietta, i cili i sugjeron të dorëzohet në komisariat.
Ai rrëfen se kishte shtënë për vetëmbrojtje: “Më sulmuan, në përleshje Kasmi ka nxjerrë një armë, unë kam arritur t’ia heq dhe kam qëlluar për ta penguar që të vazhdojë të më godasë sërish”. Por pamjet e kamerave të sigurisë së lokalit e mohojnë këtë sipas hetuesve.
Ndërsa kryeprokurori Antonio Guerriero konfirmoi në një takim të mëngjesit me gazetarët: “Nuk ka mbrojtje legjitime. Duket më tepër një demonstrim pushteti”, – ka thënë ai, sipas mediave italiane.
Alibia e Mikea Zakës
Zaka u përgjigjet të gjitha pyetjeve duke rindërtuar atë që ndodhi. “Isha në lokal me shokët e mi kur u afrua një makinë Lancia Y10, – thotë ai, – pashë menjëherë Ervinin dhe vëllanë e tij, Kasemin duke ardhur drejt meje në mënyrë kërcënuese”.
Mikea merr frymë, flet herë pas here kur i kujton ato momente dhe i rrethuar nga avokati shton një detaj të interpretueshëm: “Me Kasemin ka pasur një mosmarrëveshje të vjetër për shkak të një vajze”, betohet ai.
Një vajzë në mes të sherrit, ndoshta një prostitutë, do të ishte shkas për pritën, së cilës, siç saktëson policia, do t’i shtoheshin edhe arsyet e hegjemonisë territoriale për tregun e drogës, në të cilin Frozinone rivalizon zona të tjera kriminale shumë më të mëdha.
Komisioneri i policisë Domenico Condello po punon ende për të rindërtuar komplotin e një historie komplekse dhe alarmante në vendin ku nuk mungojnë hijet e klanit napolitan, Camorra, i cili ka një prani të qëndrueshme që nga vitet 1980.
Kush ishte viktima, që njihej edhe si “Carletto”?
Ndërkohë, Kasem Kasmi, i cili njihej në komunitet dhe si “Carletto” kishte pasur mosmarrëveshje me autorin e arrestuar si vrasësin e tij Mikea Zaka në të kaluarën, shkruan gazeta “Repubblica”.
Vëllezërit Kasmi janë me origjinë nga Miloti, ku në të kaluarën policia shqiptare zbuloi plantacione të shumta marijuanë.
Dy vëllezërit, Kasemi dhe Ervini kishin vite që jetonin në Itali. Ata ishin vendosur në Frozinone, por vazhdimisht lëviznin në Piza, Romë dhe Firence.
Ata shfaqen në foto me një shishe shampanjë mes këmbëve, duke pozuar para një makine “Audi” blu me shkëlqim ose në bordin e një jahti. Kasem Kasmi e donte jetën e mirë dhe nuk e fshehte atë nga rrjetet sociale.
Në një nga fotot e shumta të shpërndara nga familja e tij, i riu është ulur në një karrige buzë pishinës dhe shikon drejt e në kamera. “Na ke marrë shpirtin, biri im, Zoti të bekoftë. Do të na mungosh shumë vëlla”, thuhet në mesazh, i cili shumë shpejt u bë viral në llogaritë e komunitetit shqiptar pas vdekjes së të riut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.