Parlamenti Europian miratoi raportin e vitit 2018 për Shqipërinë duke vlerësuar edhe përpjekjet reformuese të Shqipërisë. 459 vota pro Shqipërisë dhanë europarlamentarët europiane.
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputeti gjerman, Knut Fleckenstein, i cili e mbështet fuqishëm hapjen e negociatave me BE, thotë se “me keqardhje, e shoh, se kjo nuk është bërë dhe shpresoj shumë për një zhvillim pozitiv menjëherë pas zgjedhjeve europiane”.
I pyetur nga “Deutche Welle”, nëse zgjedhjet europiane mund ta paralizojnë procesin e integrimit të Ballkanit në BE, në rast të shtimit të forcave djathtiste, Fleckenstein thekson: “Forcat e djathta, antieuropiane janë forcuar ndjeshëm në vendet e Bashkimit Europian, kjo do të reflektohet me shumë gjasa edhe në përbërjen e Parlamentit të ri. Por unë pres që edhe pas zgjedhjeve europiane të kemi një mazhorancë të qartë për politikën pro zgjerimit të BE-së”.

Për eurodeputetin gjerman, Knut Fleckenstein deri në atë kohë, Shqipëria duhet të përgatitet dhe të zgjerojë procesin e reformave. Shprehimisht Knut Fleckenstein përmend reformën zgjedhore që Shqipëria duhet ta kryejë. Por edhe “një parlament konstruktiv dhe i besueshëm është i pazëvendësueshëm jo vetëm përsa i përket procesit të reformave, prandaj si opozita dhe mazhoranca qeverisëse janë të thirrura që të përballen së bashku me këto sfida”, theksoi Fleckenstein.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




