Ka ndodhur

Durrës / Donte ta fejonte pa dëshirën e saj, 19-vjeçarja vret babain me armë dhe e gropos brenda oborrit të banesës

Gazeta Si - Krim i rëndë brenda një familjeje në fshatin Shënavlash të Durrësit. Një 50-vjeçar Pëllumb Meta, i shpallur i humbur prej 10 ditësh nga familjarët, u gjet i vrarë dhe i varrosur në shtëpinë e tij.

Një krim për të cilin policia ka vënë në pranga vajzën e viktimës, 19-vjeçarja Hygerta Meta, autore e dyshuar e vrasjes makabre.

E reja, të paktën sipas asaj që ka deklaruar vetë në polici, e ka kryer vrasjen me armë zjarri pas insistimit të të atit për ta fejuar pa dëshirë.

E gjithë ngjarja në fjalë nisi 10 ditë më parë. Ishte djali 25-vjeçar i cili shkoi në policinë e Durrësit, për të kallëzuar largimin e të atit, pa e ditur se ai ndodhej i varrosur pikërisht brenda rrethimit të banesës së tij.

4 ditë pasi mori denoncimin, policia gjeti fillimisht makinën e 50-vjeçarit të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia.

Në këtë pikë, nën dyshimet se Pëllumb Meta ishte zhdukur policia intensifikoi hetimet dhe arriti të siguronte prova që në fakt treguan se ai ishte vrarë.

19-vjeçarja e ekzekutoi të atin me armë zjarri. Sipas policisë, ajo e ka pranuar krimin e rëndë dhe ka deklaruar se përveç insistimit për ta fejuar, palët kishin edhe konflikte të tjera familjare.

Disa familjarë janë marrë në pyetje, deri kur vajza ka pranuar autorësinë e krimit. Ajo ka deklaruar se e ka vrarë të atin, e kishte lidhur, mbështjellë me batanije dhe varrosur të kasollja e lopës.

Ka qenë 19-vjeçarja Hygerta Meta që ja tregoi policisë vendin se ku gjendej babai i vdekur. Familja përbëhet nga 2 prindërit, 4 fëmijë prej të cilëve 2 djem dhe 2 vajza. Njëra vajzë e martuar.

Policia thotë se vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore persona të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje.

Ndërkohë, trupi i 50-vjeçarit është zhvarrosur nga shtëpia e tij dhe është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë