Politike

‘Çdo zonë e mbrojtur kthehet në shesh ndërtimi’, PL thirrje PS: Tërhiqni ligjin  

Partia e Lirisë thirrje PS: Tërhiquni nga projektligji për zonat e mbrojtura

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, para fillimit të seancës plenare i beri thirrje PS që të tërhiqen nga projektligji për zonat e mbrojtura.

“Me këtë ligj, çdo zonë e mbrojtur mund të kthehet në shesh ndërtimi për t’u shndërruar në resorte, komplekse pallatesh apo biznese që të ushqejnë me pasurinë kombëtare xhepat e tyre edhe të padronëve të tyre në qeveri, në dëm të florës, faunës dhe peizazhit natyror të vendit. Me këtë ligj, Shqipëria nuk do të ketë më pasuri natyrore të mbrojtura nga shteti. Pasojat e tij do të jenë të pakthyeshme. E njëjta maxhorancë që dy vjet më parë i hapi ditën jeshile grabitjes së portit të Durrësit, apo që më parë shkatërroi Lagunën e Nartës me aeroportin e Vlorës që mund të ndërtohej shumë mirë diku tjetër, sjell për miratim një ligj tjetër që i hap rrugën shkatërrimit të zonave të mbrojtura, në kundërshtim të hapur me rekomandimet e BE. Delegacioni i BE ka kërkuar sikundër edhe shoqëria civile që komisioni parlamentar të rihapë procesin e konsultimeve “në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse” për ndryshimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura, pas draftit të ri të dorëzuar nga qeveria që lejon investimet strategjike brenda tyre.

U bëj sot thirrje kolegëve deputetë të maxhorancës të tërheqin nga seanca ligjin dhe të hapin konsultimin publik me shoqërinë civile dhe Delegacionin e BE. Le të dëgjojmë edhe njëherë zërin e ekspertëve të mjedisit, shoqërisë civile dhe banorëve të zonave që mund të preken direkt...”, tha Xhixho


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë