Ngjarje

Qytetarë dhe shoqëria civile protestë jashtë Kuvendit, kundërshtojnë ligjin për zonat e mbrojtura

Nga Gazeta Si- Ndërsa prisnin të nisë seanca plenare, ku në rend dite ishte edhe miratimi i ndryshimit të ligjit për zonat e mbrojtura, jashtë ambienteve të Kuvendit, përfaqësues të shoqërisë civile protestuan për të kundërshtuar ligjin.

Me banderolë në duar me mbishkrimin “mos votoni pr/ligjin masakrues për zonat e mbrojtura”, ata bënë thirrje që të mos kalojë në votim.

Prej kohësh shoqëri civile dhe organizata mjedisore janë shprehur kundër këtij projektligji që i jep bashkive dhe Ministrisë së Mjedisit kompetencat për të lejuar ndërtimet në zonat e mbrojtura.

Më herët, përfaqësues të organizatave kanë thënë se do vijojnë me kundërshtimin edhe nëse projektligji miratohet në Kuvend.

Pas miratimit të ligjit për zonat e mbrojtura, ka reaguar edhe delegacioni i BE duke thënë se “Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent”, duke shtuar edhe se delegacioni i BE-së do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, sipas kuadrit ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.

Pas deklaratës së delegacionit të BE për miratimin e ligjit për zonat e mbrojtura, ka reaguar në rrjetin social “X” edhe Edi Rama.

Kreu i qeverisë shprehet se është në një “mendje me BE”, teksa shton se ndryshimet e sotme e forcojnë bazën e rrugës së vendit tonë ambicioze “për zhvillim të qëndrueshëm në harmoni me bukurinë mahnitëse të Shqipërisë”.

“100% në një mendje me Bashkimin Europian! Me vizionin #Shqipëria2030 dhe vullnetin e palëkundur për ta bërë këtë vend një destinacion turistik të nivelit më të lartë mesdhetar, ne kemi bërë në 10 vitet e fundit një përparim shembullor në mbrojtje të biodiversitetit. Ndryshimet e sotme e forcojnë bazën e rrugës sonë ambicioze për zhvillim të qëndrueshëm në harmoni me bukurinë mahnitëse të Shqipërisë”, shkruan Rama.

Por organizatat mjedisore e kanë quajtur të pavlefshëm konsultimin publik që është bërë në Komisione me to, duke thënë se konsultimi nuk u bë me një draftligj final.

Sipas tyre, diskutimet pa një draft të plotë dhe final ishte një thyerje e rregullave të konsultimit publik.

“Nëse drafti final nuk do të konsultohet me ekspertët dhe aktivistët është shkelur çdo rregull i konsultim publik,” tha para disa ditësh Olsi Nika ekspert mjedisi.

Kujtojmë se drafti i plotë për ligjin e zonave të mbrojtura doli një ditë para se të miratohej në Kuvend.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë