Nga Gazeta Si- Me ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, që priten të votohen nesër në seancën plenare, në disa prej territoreve të klasifikuara si të tilla, do të mund të ndërtohen struktura akomoduese me qëllim zhvillimin e turizmit apo agroturizmit, por me kushtin që të mbahet një ekuilibër mes natyrës dhe aktiviteteve të zhvilluara.
Në projektligj shkruhet se pjesë e menaxhimit të zonave të mbrojtura do të përfshihen edhe bashkitë përkatëse të cilat do të miratojnë investimet që do kryhen.
“Kjo shtesë lind si nevojë e përfshirjes së bashkive dhe popullatës vendase në procesin e menaxhimit të tyre”, shkruhet në draft.
Gjithashtu, një ndryshim tjetër që pritet të miratohet është edhe përcaktimi qartësisht i aktiviteteve të lejuara apo të ndaluara në zonën e mbrojtur, me përjashtim të rasteve kur KKT, ministria përgjegjëse apo bashkitë përkatëse miratojnë investimin në një zonë të caktuar.
Më tej, parashikohet të shtohen dhe dhënia e mundësisë së zhvillimit të veprimtarive ekonomike nga banorët e zonës, veprimtari që si fillim do të marrin miratimin paraprak nga bashkia.
Investimet tashmë do mund të bëhen edhe në rastet kur monumenti i natyrës nuk është në zonë të banuar dhe nuk aplikohet përcaktimi i zonës së saj buferike. (Zonat buferike janë hapësira të krijuara rreth zonës së mbrojtur për të përforcuar ruajtjen e saj).
LEXO EDHE:
-Studiuesit e natyrës: Rishikimi i zonave të mbrojtura përshkallëzon shkatërrimin e tyre
-Ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura / Shoqatat mjedisore kërkojnë ndërhyrjen e BE dhe konventave ndërkombëtare
-Organizatat mjedisore kundër ndryshimeve të ligjit për zonat e mbrojtura: Shkelen direktivat e BE
-Drafti për zonat e mbrojtura, Tabaku: Qeveria po e zëvendëson Valbonën, Thethin, Lëpushën me betonin.
Po ashtu, do lejohet ndërhyrje urbane, rekreacionit apo industriale brenda zonës por duke ruajtur karakterin e saj sipas parashikimeve.
Me ligjin e ri, AKZM-ja dhe pushteti lokal duhet të nxisin nisma apo veprimtari të cilat kanë efekte pozitive në zonat e mbrojtura. AKZM-ja dhe ADZM-të përkatëse propozohet të hartojnë rregullore të cilat duhet të shpallen në vende të dukshme për vizitorët.
Këto ndryshime erdhën si propozime të një grupi deputetësh socialistë edhe të propozimeve nga qeveria dhe ministria e Mjedisit. Në komisionin e veprimtarisë prodhuese ku u miratuan ndryshimet, ministrja e mjedisit Mirela Kumbaro garantoi se propozimet e qeverisë janë në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian duke rritur njëkohësisht edhe aktivitetin ekonomik të këtyre zonave.
Ekspertë dhe përfaqësues të Organizatave të mjedisit janë kundra këtij projektligji, të cilët shprehen se do e kundërshtojnë edhe nëse miratohet në Parlament.
“Do e kundërshtojmë të enjten dhe në vazhdim. Ky projektligj nuk vendos asnjë kufi ndaj veprimtarive shkatërruese”, thotë Lavdosh Ferruni, ekspert mjedisi.
Ekspertët kanë kërkuar edhe ndërhyrjen e BE dhe konventave ndërkombëtare.
Në një konferencë për shtyp, Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i organizatës EcoAlbania tha se janë vënë në dijeni edhe konventat ndërkombëtare: Konventa e Bernës, por edhe Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës dhe ata kanë shprehur shqetësimin për ligjin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.